Euro2024

Gjermani: Nëntë policë u lënduan pas përleshjeve me tifozët serbë

06/26/2024 17:43
nga:Lorik J

Të paktën nëntë policë u lënduan në një përleshje me tifozët serbë në qendër të Mynihut para, gjatë dhe pas ndeshjes ndërmjet Danimarkës dhe Serbisë, njoftoi agjencia gjermane e lajmeve DPA.

Konflikti fillestar ka nisur rreth orës 17:00 në sheshin Marienplatz të qytetit, kur policia kontrolloi një nga tifozët me dyshimin për posedim të mjeteve piroteknike. Sipas policisë, për këtë arsye anëtarët e saj janë goditur me shishe dhe tavolina, të cilët më pas janë përgjigjur me gaz lotsjellës dhe shkopinj.

Pas përplasjes në Marienplatz, tifozët serbë vazhduan të përdorin mjete piroteknike ilegale pranë stacionit të metrosë, por edhe brenda stadiumit.

Për këtë, disa persona janë akuzuar për prishje të rendit dhe qetësisë publike, lëndime të rënda trupore dhe sulm ndaj punonjësve të policisë.