Lajme

Gjendje e rëndë në Istog pas stuhisë së fuqishme

02/06/2020 11:03
nga:Norë Kelmendi

Gjendja për shkak motit të lig që po mbizotëron në shumë komuna të vendit tonë po vjen duke u rënduar.

E, dëmet më të mëdha vijnë në zonën e Dukagjinit, saktësisht në Pejë dhe Istog.

Madje, mëngjesi i sotëm Komunën e Istogut e gjeti të shkatërruar nga erërat e fuqishme, që po vazhdojnë prej dy ditësh.

Jeta Balaj – Imeraj, zyrtare për komunikim në këtë komunë, ka thënë për IndekSonlinen se gjendja vazhdon të jetë tejet e vështirë, derisa dëmet janë jashtëzakonisht të mëdha, por për fat të mira pa pasoja në njerëz.

“Ka dëme jashtëzakonisht të mëdha materiale, të gjitha fshatrat e komunës janë pa energji elektrike, përfshirë edhe qytetin. Po pritet pak m’u ndalë era dhe ekipet e KEDS-it me dalë në terren, sepse është e pamundur me intervenu në këtë gjendje, sepse ka shumë shtylla elektrike që janë rrëzuar.

Ekipet tona janë në terren gjatë gjithë kohës dhe po qëndrojnë afër banorëve, s’kemi ndonjë informacion që ka të lënduar”.

Për shkak të stuhisë së fortë, edhe shumë shkolla janë dëmtuar, ndërsa komuna ka marrë vendimin që sot mos të mbahet procesi mësimor. Derisa, Balaj – Imeraj tha për mediumin se pa u ndalë era s’mund të marrin asnjë vendim se kur do të fillojë prapë mësimi.

“Ka edhe shumë shkollë që janë dëmtuar, por për shkak të situatës momentale, ende s’dihet dhe nuk ka ndonjë vendim se kur të vazhdojë procesi mësimor. Po presim përfundimin e stuhisë dhe pastaj marrim vendime të tjera”.

Kujtojmë se procesi mësimor për shkak të kushteve atmosferike sot nuk do të mbahet as në komunat Dragash dhe Kamenicë, derisa thuhet se orët do të zëvendësohen.

Imazhe nga dëmet materiale:

01/20/2020 08:38

Istog: Vidhen para dhe ari në një shtëpi