Lajme

Gjatë vitit 2020, rreth 600 mijë euro pasuri e sekuestruar iu është kthyer përsëri pronarëve

02/25/2021 23:52
nga:Q R

Mbi 597 mijë euro pasuri e sekuestruar është kthyer të ish pronarët me vendim të gjykatës në vitin që lamë pas. Sipas shoqërisë civile, në shumë pak raste pasuria e sekuestruar vendoset të konfiskohet në fund.

Prokuroria kishte marrë aksione si ato të mërkurës edhe në shumë raste tjera ku janë konfiskuar shuma të mëdha të parave e gjërave tjera materiale por në fund në vetëm pak raste kjo pasuri është konfiskuar.

Krye shefi i Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, Kushtrim Cukaj ka thënë për RTV Dukagjinin se gjatë vitit të kaluar, mbi 597 mijë euro pasuri e sekuestruar është kthyer të ish pronarët.

Yll Zekaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se një shumë pak raste gjykatësit vendosin për të konfiskuara pasuri të caktuar.

“Në bazë të raporteve që IKD ka publikuar, vetëm në disa raste prokurorët kanë bërë kërkesë për sekuestrimin e pasurisë së fituar në mënyrë kriminale dhe shumë më pak kjo pasuri e sekuestruar ka arritur të konfiskohet në fund”, deklaroi Yll Zekaj.

Arton Demhasaj nga “Çohu” thotë se mbetet të shihet nëse Lëvizja Vetëvendosje do ta ndryshojë Ligjin për konfiskim të pasurisë së paluajtshme.

“Tash nëse vjen qeveria e re mbetet për t’u parë nëse do të hartojnë një ligj për konfiskimin e pasurisë por në procedurë civile pa pasur nevojë të ndërlidhet me procedurë penale ku në bazë të atij ligji baza e provës për të dëshmuar nëse e ke atë pasuri të ligjshme bie mbi të dyshuarin e jo prokurorin”.

Luftimi i krimeve ekonomike dhe korrupsionit në Kosovë mbetet një sfidë e përhershme e organeve të ndjekjes penale.