Lajme

‘Gjatë pritjes në kolona, lexoni diçka’, Sveçla: Rama po fyen inteligjencën e qytetarëve të Prishtinës

10/22/2024 19:58
nga:N K

Duke qenë se qytetarët në Prishtinë çdo ditë po përballen me pritjen në kolona, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në një intervistë dhënë për T7 jepi një sugjerim se çfarë të bëhet gjatë kësaj pritje.

“Kur ka kolona të gjata dhe ndiheni të bllokuar, nëse situata e lejon, mund të dilni nga vetura. Po ashtu dëgjoni muzikë, lexoni diçka”, është një nga deklaratat e fundit të tij.

Pikërisht kjo deklaratë ngjalli reagime të shumta në opinionin publik.

Ndër reaguesit është edhe shefi i asambleistëve të Vetëvendosjes në Komunën e Prishtinës, Gëzim Sveçla, i cili e vlerëson se është një ndër deklaratat më të pa qëlluara dhe se është një ofendim e fyerje e inteligjencës së qytetarëve të kryeqytetit.


“Realisht është në vazhdën e deklaratave të pa qëlluara të z.Rama, është ofendim dhe fyerje e inteligjencës ndaj qytetarëve të Prishtinës një deklaratë e tillë. Qytetarët në këto kolona vonohen për të shkuar me marrë fëmijët e vet në kopsht ose në shkollë, vonohen për të shkuar në punë, ka raste kur vonohen për urgjenca mjekësore ose çkado qoftë dhe një deklaratë e tillë nuk mendoj se është e duhura, sidomos në raport me vështirësitë që qytetarët e Prishtinës i kalojnë çdo ditë, duke vozitur qoftë nga puna në shtëpi ose anasjelltas, apo për të kryer çfarëdo pune, çfarëdo veprimtarie në kryeqytet”, deklaroi Sveçla.

Shefi i asambleistëve të VV-së, shprehet se mandati i tij është në fund, që si përfundim kryetari Rama do të mbetet, kryetari më i ‘dështuar’ në kryeqytet.

E mira e kësaj është se jemi në përfundim të mandatit të tij, tash një vit janë zgjedhjet lokale, dhe si përfundim z.Rama do të mbahet mend si kryetari më i dështuar në Prishtinë”, u shpreh ai.

Sipas tij, çdo ditë dëshmohet menaxhimi i ‘mirë’ i kryetarit, ku si pasojë e mbylljes së disa rrugëve është rritur dendësia e kolonave, si dhe kohëzgjatja në to.

“Realiteti praktik në kryeqytet në të cilën ne jetojmë çdo ditë e dëshmon se nuk bëhet fjalë për menaxhim të mirë. Z.Rama dhe ekzektutivi i LDK-së në qeverisje me Prishtinën i ka marrë disa veprime dhe disa veprime pa analizë të mirëfilltë, këtu kryekëput e kam për mbylljen e rrugëve e si pasojë e të cilave është rritur dendësia e kolonave, është rritur kohëzgjatja prej një pike deri në një pikë tjetër. Edhe ne si Lëvizje Vetëvendosje jemi për krijimin e hapësirave të reja për këmbësorë, mirëpo paralel me këtë ndoshta edhe përpara kësaj duhet të gjetur alternative edhe për komunikacionin. Fatkeqësisht, gjatë qeverisjes të z.Rama nuk ka ndodhur, janë mbyllur disa arterie kryesore të Prishtinës të cilat kanë shtuar kolonat, të cilat e kanë bërë jetën e qytetarëve më të vështirë”, tha ai.

Sipas Sveçlës, çdo eksperiment që ka çuar në duar Rama, ka rezultuar i dështur duke ngritur tensione tek qytetarët.

“Eksperimentet e z.Rama vijnë si pasojë e presionit publik për mos punë. Sa herë është ngritur në opinion çështja e mos punës së kryetarit Rama dhe ekzekutivit të Prishtinës, z.Rama është çuar ka bërë një eksperiment, i cili pastaj ka rezultuar i dështuar, i cili ka ngritur tensione tek qytetarët, i cili e ka vështirësuar jetën e qytetarëve. Në përgjithësi, nuk e keni një eksperiment të vetëm të tij i cili ka rezultuar i sukseshëm dhe pastaj është aplikuar në praktikë”, theksoi ai.

Në fund, ai e cilëson se kryetari Rama e bën një punë, vetëm për tu dukur se po punon diçka.

/GazetaBlic/