Lajme

Gjashtë fshatra në Ferizaj kanë mungesë të ujit për vite me radhë

09/28/2020 21:38
nga:Sh Xh

Banorët e gjashtë fshatrave të Komunës së Ferizajt prej më shumë se dhjetë vjetësh vazhdojnë të ballafaqohen me mungesë të ujit të pijshëm, megjithëse e kanë të vendosur rrjetin e ujësjellësit.

Me gjendje më të rëndë po përballen banorët e fshatit Koshare dhe Slivovë, të cilët kanë kritikuar kompaninë rajonale të ujësjellësit “Bifurkacioni” për mosfurnizim me ujë. Banorët më së shumti shqetësohen për nxënësit në shkolla, të cilët e përdorin ujin e puseve që nuk mirëmbahen nga askush.

Sadik Qerimi, përfaqësues i fshatit Koshare, ka thënë se pavarësisht mungesës së ujit, kompania “Bifurkacioni” po ua dërgon faturat për pagesa në secilën familje, raporton KOHA.

Ndërkaq edhe Ruzhdi Sadriu, përfaqësues i fshatit Slivovë, ka thënë se banorët po bartin ujë të pijshëm nga burime të ndryshme natyrore e më së shumti telashe paraqiten në objektin e shkollës.

Në anën tjetër, Arben Halili, drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Ferizajt, përmes një përgjigjeje me shkrim ka thënë se Komuna e ka ndërtuar rrjetin e ujësjellësit në dhjetëra fshatra së bashku me puse për furnizim, kurse për menaxhim është kompetencë kompania “Bifurkacioni”. Sidoqoftë ai është zotuar se nëse është nevoja komuna do të hapë edhe puse të reja për furnizim të rregullt.

Në kompaninë “Bifurkacioni” kanë thënë se kjo zonë e fshatrave furnizohet me reduktime nga puset nëntokësore, por gjatë kohës së fundit ka rënë niveli i ujit.

Menaxheri operativ në KRU “Bifurkacioni” Valdet Syla shtoi se kompania në bashkëpunim me donacione të ndryshme është duke u munduar të bëjë investime në këto fshatra, ndërkohë janë duke u pajisur edhe me ujëmatës dhe puseta në mënyrë që uji mos të keqpërdoret nga qytetarët.

09/29/2020 23:15

Prindërit në Ferizaj kundërshtojnë mbylljen e shkollës përkundër rasteve me Covid-19