Safet Gërxhaliu, ish kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, në një intervistë për Gazeta Blic, ka folur për propozimin e ZRRE-së për rritje të çmimit të energjisë elektrike.
Ai ka thënë se rritja do të jetë më shumë se 15 për qind, derisa e ka parë alarmuese situatën nëse rritet çmimi i rrymës, pasi do të jetë goditje e rëndë për qytetarët dhe bizneset private.
“Nuk ka qenë befasi kërkesa e ZRRE-së për rritje të çmimit të energjisë pasi që në janar ka qenë një kërkesë për rritje prej 35 për qind. Në rend të dytë, besoj se kjo rritje do të jetë shumë më e lartë se 15 për qind. Kemi pasur edhe tri rritje dhe për standardin e familjeve në Kosovë dhe e dyta do të jetë një goditje e rëndë për sektorin privat, në veçanti sektori prodhues”, është shprehur ai.
Sipas Gërxhaliut, mjerimi më i madh që e ka katandisur Kosovën, është dorëzimi përballë mafisë ballkanike.
“Ajo që është më shqetësuese është që koston më të madhe të këtij eksperimenti politik dhe të këtij patriotizmi ambiental të lidhur me krimin po e paguan qytetari i Kosovës”, ka shtuar ai.
Gërxhaliu ka bërë dhe një krahasim të pagave në Zvicër, Gjermani, Austri e Kosovë dhe çmimin që paguajnë për energjinë elektrike në këto vende.
“Për ekonominë do të jetë një grusht, sidomos për sektorin prodhues, sepse me këto çmime do të jetë e pamundur që tregu Made in Kosova të jetë konkurrues,”, vlerëson ai për Gazeta Blic.
Tutje, Gërxhaliu flet dhe për atë se pse po bëhet rritja e çmimit të energjsië tani.
“Është banale sepse kinse janë rritur pensionet apo është një kosto më e lartë. Në anën tjetër ju e keni prodhimin e Kosovës, termoelektronet e KEK-ut shiten me një çmim vërtet shqetësues dhe i njëjti prodhim që blihet nga resurset natyrore të Kosovës, iu shitet qytetarëve me një çmim trefish apo katërfish”.
Po ashtu, i pyetur se a mund të bëhen protesta lidhur me rritjen e çmimit të rrymës, Gërxhaliu thotë se ka kohë që në Kosovë vdekur zëri revolutes apo i pakënaqësisë.
“Qeveria duket se opozitën më të mirë e ka veten, se sa partitë opozitare, qytetarët janë tani në një heshtje dhe po pajtohen me këtë eksperiment. Por, në këtë gjendje të trishtueshme Kosova po përballet me një ekzod të heshtur, qytetarët po largohen në heshtje. Nëse i shohim periudhat e ekzodit nga viti 1970 e deri më sot, besoj se së fundi është ikja më e madhe dhe kjo duhet të jetë një brengë e politikbërësve kosovarë, kushdo që të jetë në pushte, nuk duhet të jetë vetëm lufta për pushtet por duhet të bëhet diçka edhe për shtet dhe për qytetarët, të gjithë e meritojnë një jetë më të mirë dhe nuk i bën nder gjakut të derdhur që Kosova të bëhet një vend për të ikur por për të jetuar”, ka deklaruar Safet Gërxhaliu./Gazeta Blic/