Legjenda e Liverpool, Steven Gerrard ka folur për situatën e ish-skuadrës së tij, ku duket se nuk ka qetësi.
Shpërthimi i Mohamed Salah pas barazimit me Leeds, solli pezullimin e tij për duelin ndaj Inter. Në lidhje me këtë, Gerrard u shpreh se Salah gaboi me reagimin e tij, ndonëse mund të jetë i mërzitur.
Sipas tij, egjiptiani i duhet skuadrës në formën më të mirë, për ta rikthyer te rezultatet pozitive.
“Është e qartë se ai është shumë i mërzitur dhe e respektoj këtë. Por është gabim që ai të thotë se klubi e ka futur në telashe. Ai duhet të tërhiqet, ta diskutojë këtë me trajnerin. Si lojtarë, të gjithë kemi humbur mendjen në një moment dhe kemi bërë gjëra të nxituara nga momenti.
E di që me kalimin e kohës, kur e gjithë kjo të qetësohet, Salah do të thotë: “Nuk duhej ta kisha thënë këtë. Ndoshta nuk duhej ta kisha thënë këtë. Isha i emocionuar. Isha i nxituar.”
E kam përjetuar këtë me Suarezin kur ai pati një sherr me Brendan Rodgers, ballë për ballë. Kam qenë atje, kam qenë vetë atje.
Në fund të fundit, Liverpoolit i duhet Salah që të rikthehet në formë, të rikthehet në shënimin e golave, sepse ai është lojtari më i mirë, golashënuesi më i mirë dhe do t’i ndihmojë të dalin nga kjo situatë”, tha Gerrard për TNT Sports.

