Sporti

Gazmend Gashi: Boksi dhe MMA ngjallin shumë interesim si sporte, kushtet kanë ndryshuar për mirë për sportistët

01/01/2024 18:22
nga:E K

Sukseset e sportistëve shqiptar në sportet individuale në veçanti në artet luftarake kanë qenë të pranishme ndër vite në shtetin e Kosovës.

Pavarësisht sfidave të ndryshme që përballen sportistët e Kosovës, shumë nga ta kanë arritur të sjellin medalje dhe arritje të mëdha në garat ndërkombëtare.

Ish kampioni i Kosovës në boks, tashmë trajner, Gazmend Gashi i cili menaxhon edhe qendrën për stërvitje në arte marciale “Cell Active” për GazetaBlic Sport ka rrëfyer për disiplinën që i duhet një sportisti për t’u shpallur kampion si dhe tregon diferencën e të qenit garues dhe trajner i boksit.

“Klubi i arteve marciale Cell Active është themeluar në vitin 2022, këtu aplikojmë sporte si boksi, kikboksi, mma takëando dhe fitnesi funksional. Sa i përket si garues në aspektin profesional kam mjaftë përvojë pasi përpos ndeshjeve vendore kam pasur edhe ndeshje ndërkombëtare, por normal si trajner është përvojë e re dhe gradualisht jam duke fituar eksperiencën duke e ngritur nivelin profesional në aspektin e menaxhimit dhe trajnimit me garuesit e ri që kanë të ardhme përpara për suksese vendore dhe ndërkombëtare. Si garues duhet të jesh më shumë i fokusuar në stërvitje sa i përket menaxhimit e bënë struktura e klubit. Tash kam ngarkesë më të madhe, por është më lehtë pasi e kam në menaxhim klubin që e udhëheqi. Momentalisht në boks kemi dy kampiona të boksit për grup-moshat e reja. Njëri është shkollor për moshat 9-10 vjet kurse tjetri është kadet i moshës 14 vjeçare, pra Nur Krasniqi dhe Eltin Mehmeti janë dy kampionët e ardhshëm që do i sjellin medalje të shumta klubit dhe vendit në vitet në vazhdim. Poashtu e kemi edhe një nënkampion i cili është nga Fushë Kosova, Yll Salihu është shpallur këtë vit në kampionatin e Kosovës si nënkampion në boks.

Sa i përket arteve marciale në veçanti boksi ka interesim mjaft shumë për shkak se është si sport bazë që ndihmon si në kondicion ashtu edhe në vetmbrojtje dhe normalisht që ka mjaft interesim. Si sport boksi dhe kikboksi janë sporte të rënda që nevojitet përkushtim shumë i madh, por nëse punon me disiplinë çdo gjë bëhet më e lehtë.

Sporti i MMA ngjallë shumë interesim, esenca është që para se të fillohet MMA është mirë që të kesh njohuri në sporte të tjera si boksi ose kikboksi ose mundje që të jetë më e lehtë që të kyçesh në këtë sport. Në MMA është miks i arteve marciale, praktikohet boksi kikboksi, mundja dhe jujitsu dhe ndërlidhen njëra me tjetrën. Si sport është shumë artaktiv pasi ka miks të këtyre arteve marciale.

Kur kam qenë garues kemi pas suport por kemi pasur motivim në aspektin verbal, por në aspektin financiar nuk ka pasur shumë mbështetje. Pas vitit 2016 janë bërë disa ligje në të mirë të sportistëve, sa i përket Ministrisë dhe Komitetit Olimpik në kohët e fundit i mbështet shumë sportistët perspektiv që është një ndihmes shumë e madhe për ata që duan të arrijnë suksese.

Si mesazh do thoja që është mirë që prindërit t’i dërgojnë fëmijët në cdo sport pasi sporti e mbanë trupin vital dhe aktiv duke u larguar nga gjërat negative. Normalisht nëse përkushtohesh më shumë në sport në të ardhmen mundesh edhe të kesh medalje duke bërë krenar familjen veten dhe shtetin.

Në vitin 2024 kam për synim që të avancoj këta sportist që janë kampiona të Kosovës që të shoh edhe nivelin e garuesve edhe ndërkombëtar në diferencat mes tyre. Pastaj në komunikim me Federatën e Boksit kemi mundësinë që t’i dërgojmë në Kampionatin Evropian për të rinj që është caku i një klubi dhe një vendi, pasi me medalje përfiton i gjithë komuniteti sportiv.

Për më shumë ndiqeni intervistën në vazhdim: