Opinion

Gazetarët përballë tri fronteve

11/03/2017 23:14
nga:Alban Zeneli

Mbrojtja nga kërcënimet dhe sulmet, mbrojtja nga punëdhënësi përmes sindikatës dhe mbrojtja e punës intelektuale të gazetarëve do të ndihmonte të zhvillohej një gazetari më e mirë, e cila do të ndikonte akoma më shumë në demokratizimin e shoqërisë.

Ditën Ndërkombëtare për t’i Dhënë Fund Mosndëshkimit të Krimeve ndaj Gazetarëve në Kosovë e kanë shënuar shumë organizata vendore e ndërkombëtare duke prezantuar fakte shqetësuese për sigurinë e punëtorëve të mediave.

Për të ndryshuar këtë gjendje, gazetarët, organizatat e tyre dhe shoqëria në përgjithësi duhet të luftojnë në tri fronte: në frontin e mbrojtjes së gazetarëve nga sulmet fizike dhe kërcënimet që vijnë nga akterë të ndryshëm shoqërorë, përfshirë politikanët ose njerëz të afërt me politikën, bizneset dhe grupet tjera të interesit; në frontin e mbrojtjes sindikale, ose të të drejtave të tyre si punëtorë të mediave; si dhe në sferën e mbrojtëses së krijimtarisë së tyre nga abuzimet me ripublikime të paautorizuara.

Në frontin e parë, ku gazetarët duhet të luftojnë, situata është më emergjente. Sipas statistikave të deklaruara nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës, në dhjetë muajt e parë të këtij viti, janë 23 raste të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve. Gjendja në këtë sferë bëhet akoma më e vështirë kur vërehet që deri tani për kërcënime ndaj gazetarëve ka pasur vetëm dy raste kur kërcënuesit janë dënuar me gjoba nga 300 deri në 500 euro. Përkundër gatishmërisë së gazetarëve për t’i dhënë faktet për sulmet ndaj tyre, një gjë që vërehet qartazi është mungesa e trajtimit të lëndëve të tyre nga ana e sistemit të drejtësisë, pra prokurorive dhe gjykatave. Disa përpjekje në këtë drejtim janë bërë. Prokuroria ka caktuar disa koordinatorë për t’u marrë ekskluzivisht me këto raste, por rezultati është minor krahasuar me sulmet. Janë dënuar vetëm dy kërcënues për veprat e kërcënimit të gazetarëve që janë bërë para disa vitesh. Përveç rasteve të kërcënimeve, sulmet ndaj gazetarëve janë rritur në mënyrë shqetësuese sidomos në muajt e fundit, pra keqbërësit, në këtë rast nuk po ndalen vetëm me kërcënimin, por po shkojnë edhe një hap më tutje. Sa për ilustrim kemi pasur rastin kur dy udhëheqës të të njëjtit medium janë sulmuar fizikisht vetëm brenda dy-tre muajve.

Kjo sferë mund të rregullohet vetëm me presion publik mbi institucionet e drejtësisë që rastet e sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve të mos neglizhohen. Këtu duhet që gazetarët brenda komunitetit të bëjnë një ndarje të qartë ndërmjet gazetarëve që raportojnë/hulumtojnë për problemet e ndryshme të shoqërisë sonë dhe pjesëmarrësve të tjerë të diskutimeve publike që shpeshherë në media prezantohen si gazetarë, analistë etj.

Një tjetër dimension ku gazetarët, organizatat e tyre dhe në përgjithësi mekanizmat shoqërorë kanë shumë punë është mbrojtja e gazetarëve si punëtorë. Pra, mbrojtja e të drejtave të gazetarëve nga shkeljet që mund t’i bëjnë punëdhënësit. Sa për ta pasur një pasqyrë se si funksionin ky segment i punës së gazetarëve, duhet të përmendet fakti që as mediumet si biznese nuk bëjnë ndonjë përjashtim shumë të madh nga forma e të bërit biznes në Kosovë. Pra, biznese që karakterizohet kryesisht me mosrespektim të të drejtave të punëtorëve dhe mungesë të kushteve të punës. Në tryeza të diskutimit për problemet e gazetarëve shpeshherë është përmendur edhe mungesa e kontratave të punës. Dukuri kjo e cila është evidente në shumicën e mediumeve kosovare, me përjashtim të shtatë apo tetë të tilla që në këtë aspekt janë më serioze. Në këto diskutime shpeshherë është trajtuar edhe puna pa orar dhe mos pagesa e punës jashtë orarit për gazetarët .

Poashtu, një pjesë  gazetarëve punojnë në mediat e Kosovës kanë vetëm me një ditë pushimi në javë, që fillimisht nuk është e ligjshme e pastaj kjo gjë ndikon edhe në cilësinë e përmbajtjeve mediale që ata prodhojnë. Një problem tjetër është edhe mungesa e kushteve të duhura të punës, siç është rasti i mjeteve të duhura për të përcjellë ngjarje që kanë mundësi të jenë të dhunshme. Raste e shpeshta të protestave të viteve të kaluar kanë dëshmuar një mungesë të theksuar të këtyre pajisjeve.

Cila është rruga që gazetarët duhet të ndjekin?

Përkundër punës së madhe që mund të bëjnë asociacionet, shoqatat, apo format tjera të organizmit të gazetarëve në shoqëri, këto formacione nuk mund të kryejnë funksionin e mbrojtjes së punëtorëve, pasi që nuk janë sindikata. Për të rregulluar problemet në këtë dimension ose “front”, gazetarët duhet që sa më parë të bëjnë një formë të organizmit sindikal, që do të ishte gjithëpërfshirëse për gazetarët dhe punëtorët e tjerë që punojnë në mediumet private, pasi që dy të tilla tashmë i kanë punëtorët e mediumit publik. Përmes sindikatës, gazetarët do të mund të arrinin marrëveshje të ndryshme me punëdhënësit e tyre në media, që fillimisht të ketë një zbatim të saktë të ligjit të punës e më pastaj edhe të nënshkruanin kontrata kolektive në bazë të të cilave do të mund të fitonin kushte të cilat ua lehtësojnë punën.

Fronti i tretë i luftës së gazetarëve, lidhet me mbrojtjen e pronës së tyre intelektuale, pra mbrojtja e formave të ndryshme të prodhimit medial. Ne shohim përditë që një tekst të njëjte që nuk i dihet tamam autori është i publikuar në më shumë se njëzet mediume të ndryshme online në Kosovë. Ajo përmbajtje mediale nuk është krijuar vetvetiu, pra ka një autor – një gazetar që e ka shkruar, prandaj kopjimi i atij teksti nuk respekton të drejtën bazë të autorit. Është e kuptueshme, lidhja e Ligjit për të Drejtën e Autorit që e cilëson lajmin si krijim me mbrojtje të përkohshme 12 orëshe me përmbajtjen e Kushtetutës që garanton lirinë e informimit, por kjo pjesë e ligjit duhet të rishkruhet, pasi që nuk mund të jetë i mbrojtur vetëm lajmi si lloj i gazetarisë informative. Pra, duhet të mbrohen edhe zhanret tjera si të punës së gazetarëve siç janë: raportet, intervistat, dokumentaret, kronikat, opinionet, komentet, analizat, etj.  Duhet të përmendet që ky problem ekziston shumë pak  në mediumet “offline” të gazetarisë: televizion, radio dhe gazetë.

Përmirësimi i kushteve në këto tri dimensione të punës së gazetarëve, pra, në mbrojtjen nga kërcënimet dhe sulmet, mbrojtjen nga punëdhënësi përmes sindikatës dhe mbrojtja e punës së tyre intelektuale do të ndihmonte të zhvillohej një gazetari më e mirë. Kjo gazetari e cila do të ndikonte akoma më shumë në demokratizimin e shoqërisë, duke raportuar për problemet e shumta në sektorë të ndryshëm.

(Autori është pjesë e stafit akademik në Departamentin e Gazetarisë në UP. Teksti është pjesë nga diskutimi i autorit në debatin me temë: “A i mbron ligji gazetarët?” që është mbajtur më 2 nëntor në American Corner në Prishtinë)