Lajme

“Gazetare, alpiniste dhe notare”: Kush është Marta Kos, komisionerja e ardhshme për zgjerimin e BE-së?

09/17/2024 13:28
nga:Sh R

Sllovenja Marta Kos do të jetë përgjegjëse për zgjerimin e BE-së. Këtë e ka bërë të ditur presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke prezantuar ekipin e saj të komisionerëve.

Kos do të punojë për të mbështetur Ukrainën, për të vazhduar rindërtimin e vendit dhe për të përkrahur vendet kandidate për t’u përgatitur për pranimin në BE.

Sllovenia konfirmoi javën e kaluar se Kos do të jetë kandidate e këtij vendi për Komisionere Evropiane, raporton European Western Balkans.

Paraprakisht, Tomaž Vasel e tërhoqi kandidaturën për atë pozitë dhe siç raportojnë mediat sllovene, kjo është bërë për shkak të dëshirës së Ursula von der Leyenit që në përbërjen e re të Komisionit Evropian të ketë sa më shumë gra.

Siç raporton Politico, Sllovenia për këtë është “shpërblyer” me portofolin e zgjerimit, përcjellë Danas.

Marta Kos, e cila duhet të zëvendësojë hungarezin Oliver Varhelyi në pozitën e Komisionit Evropian, është ish-ambasadore Sllovenisë në Gjermani dhe Zvicër.

Ajo ka qenë nënkryetare e Lëvizjes për Liri, ndërsa dy vite më parë kandidoi për presidente të Sllovenisë, por gjatë fushatës hoqi dorë nga kandidatura.

Menjëherë më pas ajo dha dorëheqje nga posti i nënkryetares së Lëvizjes për Liri dhe pas dorëheqjes së Tatjana Bobnar si ministre e Brendshme, Kos dha dorëheqjen nga Lëvizja për Liri, duke deklaruar se nuk është më parti e saj.

Marta Kos është një diplomate me përvojë, udhëheqëse biznesi, konsulente dhe eksperte komunikimi me përvojë personale në sportet elitare të notit, shkruan në faqen e internetit Kreab.

Aktualisht është kryetare e shoqatës së grave ONA VE dhe është aktive në konsulencën e menaxhmentit.

Para kësaj ka qenë ambasadore e Sllovenisë në Gjermani, Letoni, Zvicër dhe Lihtenshtajn.

Deri në vitin 2003, ajo ishte nënkryetare për marrëdhënie ndërkombëtare në Odën e Tregtisë dhe Industrisë së Sllovenisë.

Pas përfundimit të studimeve për gazetari, ajo filloi karrierën e saj si gazetare në Radio Televizionin Kombëtar Slloven dhe për disa vite ishte korrespondente në Gjermani për Deutsche Welle RTV në Bon.

Nga atje, Marta kaloi në Qeverinë e Republikës së Sllovenisë si Drejtoreshë e Zyrës për Marrëdhënie me Publikun dhe Media dhe ishte zëdhënëse e Qeverisë.

I pëlqen leximi, alpinizmi dhe sipas Linkedin ajo është marrë edhe me not.

Marta Kos ka lindur më 28 qershor 1965.