Lajme

Gazeta vjeneze: Kosova shumë larg kandidaturës për në BE

11/11/2017 22:59
nga:A K

Nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova mbetet e fundit me mundësitë për anëtarësim në Bashkimin Europian.

‘Wiener Zeitung’ shkruan se viti që po vjen shihet si mundësi mirë për vendet e Ballkanit Perëndimor për afrim me Bashkimin Europian.

Kjo pasi më 2018 Bullgaria do të marrë presidencën e BE’së, ndjekur nga Austria e pastaj Rumania.

Të tre vendet janë në favor të futjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

Komisionieri i BE’së për zgjerim Johannes Hahn, thotë se këto vende duhet të vazhdojnë reformat e nisura.

‘Nuk është vendosur ende se cilat shtete do të pranohen së pari, edhe nëse ato tashmë kanë nis negociatat për anëtarësim”, u tha ai gazetarëve në Tiranë.

Në këtë proces thotë se vendet kanë ndryshimet e tyre por edhe të përbashkëtat e tyre.

Derisa BE tashmë është në bisedime me Serbinë dhe Malin e Zi, Maqedonia dhe Shqipëria kanë marrë vetëm statusin kandidat.

Bosnja dhe Hercegovina është ende shumë larg kësaj, dhe Kosova edhe më shumë.

Të gjitha prej tyre, ende kanë probleme me kufijtë. Serbia dhe Kroacia kanë problemet e tyre sikurse edhe Serbia me Kosovën ose Kosova me Malin e Zi.

Kosova është penalizuar edhe me liberalizimin e vizave për shkak të demarkacionit me Malin e Zi.

Së fundi është krijuar komision i ri për këtë çështje nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Kryetari i Komisionit për Shënimin e kufirit, Shpejtim Bulliqi thotë se kanë gjetur prova të mjaftueshme që dëshmojnë se Kosova ka humbur territor me versionin aktual të demarkacionit.

Nëse gjithçka shkon mirë, sipas tij faktet provat dhe materialet e tjera që dëshmojnë se kufiri është bërë gabim do t’i dorëzohen qeverisë së Kosovës dhe Kuvendit diku në fund të këtij muaji.

Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj vazhdimisht insiston se shënimi i kufirit me Malin e Zi është bërë gabim dhe se versioni aktual si i tillë duhet të bie.

Ndërkohë është presidenti Hashim Thaçi që po kërkon më ngulm që kjo çështje të kryhet në Kuvendin e Kosovës.

11/21/2017 10:35

Kryeministri i Gjeorgjisë: Nuk e njohim Kosovën