Lajme

Gaxherri: Kurti duhet të ballafaqohet me realitetin, të bëjë zgjidhje në tema të rëndësishme siç është dialogu

06/15/2021 19:42
nga:Q R

Ish-deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri, ka folur rreth takimit të parë mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Vuçiq.

Gaxherri në një prononcim për GazetaBlic, thotë se Kosova ka problem me përfaqësimin e saj në dialog, ndërrimin e shpeshtë të qeverive si dhe mungesën e unifikimit pozitë-opozitë, derisa thekson se SHBA dhe BE duhet të bëjnë presion ndaj Serbisë, që sipas saj, kjo e fundit të pranojë Kosovën.

“Çështja e dialogut është një temë e rëndë për Kosovën, kur kemi parasysh se pala serbe nuk e ka për qëllim që të përmbyllë këtë temë, andaj ne me të drejtë presim nga BE dhe SHBA angazhim serioz dhe presion ndaj Serbisë që të pranojë realitetin, Republikën e Kosovës dhe kjo temë të mbyllet sa më parë. Kosova ka problem edhe me përfaqësimin e saj, me ndërrimin e çdo qeverie ne kemi treguar papjekuri politike sepse nuk ka pasur bashkëpunim, koordinim e unifikim të partive politike, pozitë-opozitë rreth kësaj çështje dhe këtë sjellje tonën e ka shfrytëzuar Serbia me aleatët e saj”, thotë Gaxherri.

Sipas saj, Qeveria Kurti është dashur të pajtohet me parimet e Qeverisë Hoti, që asnjë marrëveshje të mos vlejë më pa njohje reciproke.

“Fatkeqësisht edhe kjo qeveri po e bënë të njëjtën sjellje, por me taktika tjera. Qeveria aktuale, në vend se të pajtohet me parimet e qeverisë Hoti, të cilat ishin arritur në pajtim me znj. Merkel dhe presidentin Sarkozi, që asnjë marrëveshje nuk vlen më pa njohje reciproke, qeveria Kurti, deklaron se ky nuk është vazhdim i dialogut por është fillim i ri i dialogut dhe radhit tema populiste me plotë folklor për çështjet elektorale brenda Kosovës, kjo vërtet është e dëmshme dhe e pakuptueshme”, deklaron ajo.

Gaxherri thekson se kryeministri Kurti duhet të ketë prioritet dialogun dhe të bëjë zgjidhje në tema të rëndësishme për Kosovën.

“Zgjidhja e problemit në mes Kosovës dhe Serbisë nuk është më prioritet i politikës ndërkombëtare, ndërsa për ne duhet të jetë prioritet, duke pasur parasysh personalitetet, si Baiden, Merkel etj, që kanë mbamendjen e procesit të shtetësisë së Kosovës dhe përmes këtyre personaliteteve të investojmë gjithçka nga vetja që sa më shpejtë ta mbyllim këtë proces. Rendi botëror përfshirë edhe politikën po ndryshon, jo në favorin tonë, andaj qeveria e Republikës së Kosovës duhet të veprojë korrekt me besimin dhe nevojat e qytetarëve. Z.Kurti, duhet sa më shpejt të bëhet i sinqertë dhe t’ju drejtohet qytetarëve, duke e pranuar se ato premtime folklorike e populiste i ka pasur për fushatë, ndërsa realiteti është tjetër. Ai duhet të ballafaqohet me realitetin dhe të bëjë zgjidhje në tema të rëndësishme siç është edhe dialogu”, thotë Gaxherri.

Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se dialogun me Serbinë e shohin si dialog për njohje të ndërsjellë derisa ka thënë se kjo është edhe qasja e presidentit amerikan Joe Biden.

“Këtë e ka thënë edhe presidenti amerikan, Joe Biden, dhe plotësisht pajtohemi me këtë formulim. Serbia duhet ta njohë Kosovën dhe një Serbi që e njeh Kosovën e njeh edhe Kosova më pas, dhe kështu dy republikat tona krijojnë marrëdhënie të mirë fqinjësore sipas modelit evropian”, ka deklaruar Kurti.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se Serbia nuk do të ndalë asnjëherë dialogun.

“Nuk do ndalim asnjëherë dialogun, padyshim se ka detyra që duhet të përmbushën nga pala prej Prishtinës. Kjo është pranuar nga dy përfaqësuesit e BE-së. Kishim negociata serioze dhe ne kemi nënshkruar dokumente të cilat duhet të njihen, të implementohen dhe të përmbushën në mënyrën që duhet”, ka deklaruar ai.

LEXO EDHE:

Analisti politik pas takimit Kurti-Vuçiq: Kurti për të larguar vëmendjen nga shkelja e zotimeve, u mundua ta luante të ashprin