BLIC.TV

Gashi tregon pse LDK-ja i ‘ndezi motorët’ për ta rrëzuar Qeverinë, ka disa fjalë edhe për PSD-në

05/24/2019 22:41
nga:Gazeta Blic

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi konsideron se arsyeja e aktivizimit të partisë pjesë e të cilës është vet ai, ka të bëjë pikërisht me krijimin e rrethanave politike që të sillet për votim në Kuvend mocionin për mosbesim ndaj Qeverisë aktuale.

Gashi në emisionin “BlicInterview”  ka treguar se ka pasur takime mes Mustafës e Kurtit rreth kësaj teme, derisa ka shtuar se një takim i ngjashëm i Mustafës pritet të ndodhë edhe me të parin e PSD-së.

Mendoj se është kriju rrethana politike. E vërteta është se ka takime mes kryetarit të LDK-së dhe kryetarit të Vetëvendosjes me një temë konkrete, dhe tema konkrete është mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë dhe e njëjta gjë pritet të ndodhë edhe me kryetarin e PSD-së,” –  ka thënë Gashi.

Ai beson që Partia Socialdemokrate është vetëdijesuar rreth procesit të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë të cilat i konsideron si të kota e pa ndikim.

Pra, unë mendoj se janë disa elemente. Elementi i parë është se si duket se PSD-ja është vetëdijesuar se në procesin e bisedimeve, ky grup i ashtuquajtur Grupi i Unitetit ku bashkë drejtues janë Ahmeti dhe Limaj, është kot. Nuk ka ndonjë ndikim apo efikasitet prej atij veprimi dhe si duket edhe përgatitjet paraprake, kohën që kanë pasur nevojë e që kanë thënë nëpër takime private se na duhet të paktën një vit që pas daljes nga Vetëvendosje me e shtri strukturën në tërë territorin e Kosovës si duket e kanë mbyll si proces dhe janë të gatshëm me iu bashku një nisme për rrëzimin e Qeverisë,” –  ka shtuar Gashi.

I pyetur rreth asaj se pse tash Lidhja Demokratike e Kosovës është vetëdijesuar se pa PSD-në nuk mund të bëjnë mocion mosbesimi, Gashi është shprehur se një gjë të tillë e kanë ditur gjithmonë por shton se pavarësisht kësaj e kanë të vështirë ta rrëzojnë Qeverinë aktuale nëse nuk i bëjnë minimalisht 61-vota, për të cilat iu duhet ndihma edhe e disa deputetëve që janë në pozitë.

Ne gjithmonë e kemi ditë që duhet me e përfshi opozitën në plus. Po them të gjitha partitë që nuk janë formalisht në pushtet, plus me gjete disa prej partive që janë në pushtet, për ndryshe ne nuk mundemi me i bo minimalisht 61-vota për me e rrëzu Qeverinë, pra kjo as që diskutohet,” – tha ai.

Gashi ka komentuar edhe veprimet paraprake të Partisë Socialdemokrate (PSD) të cilat thotë se nuk i kanë ndihmuar aspak opozitës në arritjen e qëllimit të tyre për ta detyruar Qeverinë të dorëzohet por përkundrazi u kanë ndihmuar në arritjet e qëllimeve të tyre.

E vërteta është se PSD-ja në fundin e vitit të kaluar ka bërë disa veprime të cilat kanë qenë në pajtueshmëri me partitë në pushtet dhe siç është Ekipi i Unitetit, votimi i buxhetit, imponimi i disa ligjeve që kanë të bëjnë me interesat politike të PSD-së  dhe normalisht ajo prishi një afrim bashkëpunimi opozitarë dhe nuk kishte më hapësirë për me bashkëpunua përderisa në Ekipin e Unitetit ishte e përfshirë partia PSD së bashku me kryetarin e saj dhe po ashtu në votimin e buxhetit. Nëse ne kemi dashur me e detyru Qeverinë që me u rrëzu, pra me kriju momentumin e pajtueshmërisë publike që kjo Qeveri nuk mund të shkojë përpara, atëherë ne është dashur që t’i kemi këto elemente që t’i merrnin në konsideratë,” – ka thënë Gashi.

I pyetur nëse gjithë ky hov i papritur i LDK-së për rrëzimin e Qeverisë ka ardhur shkaku i ndryshimit të qëndrimeve të PSD-së, ai ka treguar se LDK deri para pak kohe ka qëndruar më pasive shkaku i gjendjes fizike të kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa pasi u është dashur kohë që të mendojnë nëse çëshjtja e rrëzimit të Qeverisë Haradinaj, të vazhdohet apo jo.

E vërteta është që partitë opozitare nuk kanë qenë të koordinuara. Dhe po ashtu e vërteta është që ne kemi pasur një fazë të vështirë për shkak të gjendjes fizike të kryetarit dhe është menduar kjo çështje se a duhet të vazhdohet apo jo.

Tash jemi në një situatë të re, dhe kjo situatë e re pritet të prodhojë pasoja dhe ndoshta perceptimi i brendshëm dhe perceptimi ndërkombëtar po koordinohen se duhet të kemi një proces zgjedhorë sepse kjo qeverisje nuk mund të ketë legjitimitet dhe të vazhdojë,” – ka shtuar Gashi.

/ © GazetaBlic /

11/14/2019 18:30

Pastrohet hapësira rreth stadiumit “Fadil Vokrri”