• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Gashi: Rezultatet e tubimeve dukeshin premtuese, por vota nuk u përkthye në kuti – Diçka çaloi në momentin e fundit

11/22/2025 18:02
nga:Sh R

I ftuari i radhës në emisionin Blic Interview me Astrit Gashin, ishte deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Arben Gashi, raporton GazetaBlic.

Gashi thotë se rritja e fundit në LDK nuk është e mjaftueshme, pasi sipas tij nuk u krijua besimi qytetarë, ku shtoi se kanë pritur se do të marrin një rezultat shumë të mirë.

“Pjesërisht po. Ka pasur një rritje prej rreth pesë përqind dhe kjo rritje prej pesë pikë përqindjes në totalin e përqindjes prej 100, mendoj se është një rritje substanciale, por jo e mjaftueshme. Po si duket nuk u krijua sinergjia e brendshme, nuk u krijua besimi qytetarë, megjithëse perceptimi ishte që nga tubimet, nga pamja vizuale ishte se do të marrim një rezultat shumë të mirë. Në moment të fundit diçka çaloi, mungoi dhe nuk arritëm me maksimalizu votën. Nuk e di saktë çka ka ndodh, sepse ne arritëm, LDK arriti, ne të gjithë bashkë arritëm që t’i nxjerrim në shesh në salla, në tubime, votuesit, po kur erdhi puna nuk, nuk u përkthy në votë në kuti. Dhe në këtë proces diçka ndodhi dhe ajo çka ndodhi nuk e di çka ka ndodh, por le t’i mbetet të shkuarës ajo dhe të kthehemi, të koncentrohemi për të ardhmen”, tha ai.

Deputeti i LDK-së tha se menaxhimi i votës së diasporës ka qenë problematik, duke nisur nga transporti, siguria e votave e deri te mënyra e dorëzimit të fletëvotimeve.

Ai përmendi videot e publikuara ku shiheshin thasë me vota, duke thënë se sistemi u ngatërrua dhe “si duket dikush i shtini duart”.

“Menaxhimi i votës në diasporë, menaxhimi i votës po dhe transporti, siguria e votës është fakt i njohur publik që ka ka pas probleme të mëdhaja. Ju i keni pa ato videot, fotot me thasë tu i bartë, po ka votim në ambasadë, ka votim me post që dërgohet në ambasadë, ka votim me post që dërgohet në kuti postare në një vend të caktuar ku e cakton ambasada bashkë me KQZ-në dhe ka votim me post në Kosovë. Pra edhe kjo u ngatërru pak sistemi dhe si duket dikush edhe i shtini duart. Sipas pretendimeve po, unë mendoj që prokuroria është duke u marrë me këtë punë, policia dhe le ta zbardhin ata. Unë mendoj që është e dënueshme, e papranueshme që në vitin 2025 të diskutohet dhe të flitet për sigurinë e votës. Vota duhet të jetë e shenjtë dhe e paprekshme. Edhe vetëm një votë nëse u prek është e papranueshme”, vlerësoi ai.

Sipas tij, në listën e LDK-së u panë lëvizje të mëdha nga votat e diasporës.

“Dhe neve na ndodhi që brenda listës së LDK-së të lëvizte shumë vota të diasporës, persona që ishin të panjohur edhe për politikën edhe për njerëzit edhe vinin me nga 4000, 5000, 6000 vota dhe veç e bënin ndryshimin, domethënë 10 pozicione në renditje me lëvizje diaspora. Kështu që është e pa, e palogjikshme sepse në aspektin e perceptimit edhe të votës tradicionale qysh ka ndodhur në Kosovë, vota e brendshme politike mes kandidatëve ka reflektuar pak a shumë njëjtë me jashtë.Unë kam prit që disa që janë marrë me diasporën më shumë, kanë punuar kam prit që do të kenë një avantazh sepse është normale, kanë punuar, kanë krijuar kontakte, kanë njohur njerëz, po ata morën pak a shumë në normalen e përqindjes së votës që e morën në Kosovë, e morën edhe jashtë. Ndoshta me një rritje të vogël, po disa të tjerë që ishin anonim, dolën edhe pastaj krijuan një tollovi, po besoj që është temë e mbyllur për ne”, shtoi ai.

Gashi theksoi se sistemi i ri i votimit në diasporë e bën më të vështirë manipulimin, pasi fletëvotimi origjinal me barkod duhet të vijë nga Kosova.

“Ka ndërruar sistemi. Ka ndërruar sistemi sepse ju e dini herën e kaluar ke mujt me printuar votën, i ke pas të dhënat dhe i ke marrë të dhënat, i ke pas një konfirmim edhe e ke shty në postë dhe e ke çuar për Kosovë. Tash duhet me të ardh prej Kosovës fletëvotimi origjinal, me barkod, me këto, është shumë më e vështirë dikush me e manipulu votën. Nuk po them që është e pamundur, por është shumë më e vështirë dhe po besoj që nuk ka me qenë në ato nivelet që mundet me e rrezikuar sigurinë e përgjithshme të votës dhe mundësinë e njerëzve që të jenë deputet”, përfundoi ai për GazetaBlic.