Analisti politik, Dardan Gashi ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti pas fjalimit të tij gjatë prezantimit të listës së kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Gashi ka theksuar se Kurti po përpiqet të manipulojë me retorikë populiste, duke e akuzuar se përdorë fjalime të kota për mashtrimin e qytetarëve.
Ai ka thënë se Kurti ka përdorur “britma analistësh” dhe “siklet oligarkësh” për të mbuluar faktin që nuk ka bërë asgjë për ata që i quajmë oligarkë gjatë qeverisjes së tij.
“Çfarë iu ka bërë ky oligarkëve për 5 vjet, veç e pret ditën para zgjedhjeve me dalë me blu kot, se me kanë që iu ka bërë diçka e kishim votu. Nuk iu ka bërë asgjë oligarkëve, këto janë përralla. Kur krenohet, krenohet me punën e këtyre oligarkëve, këtu flet nga zori i tij që po e sheh sa ka nisur të perëndoj dielli. Domethënë kot, është edhe keq çfarë është duke bërë edhe është duke rrejtur”, ka deklaruar Gashi në Debat Plus.
Kryeministri Kurti vazhdoi të sulmojë analistët politik në media edhe në fjalimin e tij gjatë prezantimit të listës së kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Ka kaq shumë zhurmë për natë, në shumë studio televizive, sepse zori është i madh. Aty atje tek ata, nuk flet mendja, por pisket sikleti. Ai është sikleti i madh i oligarkisë, që e transmeton britma e analistit, këtyre po u laget fyti nga ata që tashmë vet e ndjejnë tharjen e fytit, sepse buxheti me neve është për qytetarët”, ka deklaruar Kurti.