Lajme

Fuqizimi i zërit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, prioritet i Osmanit

11/21/2024 10:50
nga:N K

E para e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se i është përkushtuar posaçërisht fuqizimit të zërit të të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës.

Gjatë adresimit të saj në Kuvend, ajo u shpreh se ka potencuar se paqja dhe progresi janë të paplota pa i adresuar traumat që mbeten trashëgimi e së kaluarës.

“I jam kushtuar posaçërisht fuqizimit të zërit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës – zëra që për një kohë u lanë në hije. Historitë e tyre janë histori të dhimbjes dhe guximit, histori vuajtjesh që kërkojnë njohje dhe drejtësi. Duke e bartur rrëfimin e tyre gjithandej botës, kam potencuar se paqja dhe progresi janë të paplota pa i adresuar traumat që mbeten trashëgimi e së kaluarës”, tha Osmani.

“Nga Këshilli i Sigurimit e deri të Parlamenti Evropian, kam paraqitur dhimbjen por edhe shembullin e jashtëzakonshëm dhe forcën e të mbijetuarve të luftës së fundit në Kosovë. Këto momente i kujtojnë botës se të mbijetuarit e krimeve serbe nga koha e luftës nuk janë thjesht statistika apo tragjedi të harruara, por gra, fëmijë, pleq, janë fytyra, jetë, historitë e të cilëve kërkojnë të tregohen dhe dinjiteti i të cilëve duhet mbrojtur, duke luftuar për drejtësi e duke i mbajtur përgjegjës autorët e krimeve”, është shprehur presidentja.