Si pjesë e një përpjekjeje për t’i bërë presion Serbisë që të zhvendoset nga kufiri me Kosovën, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, miratoi një kërkesë për të deklasifikuar informacionet sekrete të grumbullimit të ushtrisë së Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën për publikun.
Më 29 shtator, John Kirby nga Këshilli për Siguri Kombëtare pati një telefonatë me zyrtarë të mediave në Shtëpinë e Bardhë.
Aty, ai i dha informacionet se dislokimi serb përfshinte artileri të avancuar, tanke e njësi të këmbësorisë.
“Kirby dha informacione të reja për sulmin e 24 shtatorit ndaj oficerit të policisë kosovare dhe dha lajmin për dislokimin e fundit serb, duke zbuluar se ai përfshinte artileri të avancuar, tanke dhe njësi të mekanizuara të këmbësorisë. Ndërsa mbulimi u rrit, vendet evropiane iu bashkuan SHBA-së në ushtrimin e presionit të ri diplomatik ndaj serbëve dhe MB njoftoi një dislokim shtesë të trupave në Kosovë. Brenda pak ditësh, trupat serbe po tërhiqeshin”, thuhet në artikull.
Kjo është një shembull i qasjes së re së Shtëpisë së Bardhë për përdorimin e inteligjencës, e që është në rritje prej agresionit rus në Ukrainë.