Opinion

Frytet e “revolucionit” shqiptar në Maqedoni

10/16/2017 22:50
nga:Andi Bushati

Shkruan: Andi Bushati

Ata shqiptarë, që gjysëm viti më parë u bënë protagonistë të një revolucioni të butë në Maqedoni, sot po korrin frytet e para. Zgjedhjet lokale të së dielës sanksionuan një ndëshkim plebishitar me votë, për dikatorucin e vogël sllav, Nikolla Gruevski. Për herë të parë, WMRO-DPMNE, e zhveshur nga pushteti, u dënua në kutitë e votimit, për krimet e kryera, për metodat autokratike, për vjedhjen e pasurive publike dhe zgjedhjeve.

Në dhjetor të vitit të kaluar, kur u zhvillua beteja elektorale për pushtetin qëndror, kjo që ndodhi sot, as që mund të imagjinohej. Megjithëse nën trysninë perëndimore, Gruevski ishte rrëzuar nga kolltuku, pushteti i tij në media, gjykata, në shërbimin sekret dhe forcat e sigurisë, ishte ende i fortë. Por në këtë moment Maqedoninë e shpëtoi pjesa më e ndritur e elektoratit shqiptar. Rreth 70 mijë prej bashkëkombasve tanë, vendosën me guxim të kapërcejnë murin etnik të sanksionuar prej një çerek shekulli në vendin fqinjë dhe të votojnë kundër tiranisë dhe pro opozitës Social Demokrate të Zaevit.

Zgjedhja e tyre, në një vend plot paragjykime, ku secili voton për partinë e etnisë së vet, nuk ishte e lehtë. Por ajo kishte ardhur natyrshëm që pas plasjes së “bombave” në pranverën e vitit 2015 dhe manifestimeve të përbashkëta me flamuj dhe oratorë të dy kombësive në mitingjet kundër regjimit.

Kjo pjesë pararojë mes shqiptarëve kuptoi se në sistemin ku jetonte, vlerat e demokracisë vinin përpara sentimenteve kombëtare. Se pa realizuar të parat ishte hipokrizi të pretendohej për të dytat. Dhe kështu, disa shqiptarë të guximshëm kandiduan si deputetë për opozitën maqedonase. Kjo gjë solli si rrjedhim edhe votën e pandodhur ndonjëherë të 70 mijë të tjerëve. Ishte pikërisht kjo kthesë historike që barazoi elektoralisht, dhjetorin e shkuar, WMRO- DPMNE, (që kishte ende në duar levat e pushtetit) me opozitën e majtë. Qe gjithashtu fryma e kësaj vote (bashkë me trysninë ndërkombëtare) që, pavarësisht nostalgjisë dhe pengjeve të së shkuarës, nuk i lejoi partitë tradicionale shqiptare të shkonin në koalicionin e vjetër me Gruevskin.

Por, në krizën e gjatë që prej përfundimit të zgjedhjeve e deri në formimin e koalicionit qeverisës, në dëshpërim e sipër, Gruevski dhe njerëzit e tij, me një instikt millosheviçian tentuan të përdorin kartën nacionaliste. Ata u frynë borive të një shteti që po shqiptarizohej, i hodhën benzinë zjarrit të urrejtjes etnike, organizuan demonstrata ku bëheshin thirrje për vdekjen e shqiptarëve, deri sa në fund shpërthyen edhe sallën e parlamentit duke rrahur e goditur deputetët shqiptarë.

Ky konflikt artificial edhe brenda edhe jashtë Maqedonisë ngriti një dyshim të ri. Ai krijoi frikën se mos përmes nxitjes së urrejtjes kundër shqiptarëve, WMRO do fitonte pikë në elektoratin sllav. Se mos ajo do të rifitonte votues duke përdorur propagandën e shpëlarë se qeveria dhe pushteti i Zaevit ishin peng të shqiptarëve. Tanimë kjo frikë është fashitur. Zgjedhjet e kësaj të diele, që dëshmuan rrënimin politik të Nikolla Gruevskit, treguan se as ringjallja e fantazmave të autoritarizmit dhe as demonët e nacionalizmit, nuk trembin kërkënd në një vend të lirë.

Dhe natyrisht, sot Maqedonia është më e lirë se në dhjetëvjeçarin e fundit. Kjo garë lokale tregoi se daullet nacionaliste nuk mund të fshehin krime si ato të rasteve “Monstra”, nuk mund të fshijnë nga kujtesa përgjimin e mbi 20 mijë qytetarëve, nuk mund të bëjnë të harrohen ryshfetet e kërkuara për ndërtimin e autostradave, vjedhjet e kutive të votimit dhe torturat nëpër burgje.

Në këto zgjedhje edhe maqedonët e ndëshkuan me votë të shkuarën autoritare të Gruevskit. Dhe për këtë, padyshim, merita i takon pjesës më të ndritur të elektoratit shqiptar. Atyre që gjysëm viti më parë, hodhën hapin e madh të kapërcimit të murit etnik duke dhënë mesazhin se shpesh beteja për lirinë është më e rëndësishme se ajo për përkatësinë.

11/20/2017 16:18

Edi, Elvisi dhe fabula e piktorit që fsheh kriminelin