Shaqir Totaj, kryetar i Prizrenit i zgjedhur me 14 nëntor ende nuk ka emëruar asnjë drejtor të drejtorive që do të udhëheqin për katër vitet e ardhshme në këtë qytet.
‘Fajet’ për këtë vonesë sipas burimeve të Gazeta Blic janë vet brenda partisë Demokratike të Kosovës në Prizren, e ku ‘apetiti” për të marrë pushtet është goxha i madh brenda këtij subjekti politik.
Por përveç kësaj, Gazeta Blic ka kuptuar se tashmë Shaqir Totaj ka telashe edhe me disa fraksione brenda PDK-së në Prizren apo thënë me mirë gardës së vjetër.
“Vonesat për emërimet e drejtorëve dhe nënkryetarit janë pikërisht te Partia Demokratike e Kosovës për shkak se ka grupe të ndara brenda kësaj partie … dhe që disa prej tyre po insistojnë që në krye të ndonjë drejtorie të caktuar të emërohen njerëz që nuk i kanë punët mirë me ligjin”, ka thënë një burim i Gazetës.
Ndërkohë, gjatë fushatës zgjedhore vet Shaqir Totaj ka premtuar se nuk do të ketë në kabinetin e tij njerëz që kanë telashe me ligjin. Madje, ai kishte deklaruar se “partia nuk mund të më imponoj njerëz të tillë”.
Shaqir Totaj, gjatë të mërkurës nuk i është përgjigjur thirrjeve të redaksisë për të marrë një qëndrim nga ana e tij për të gjitha këto, por ka qenë një zyrtar i lartë i PDK në Prizren që ka treguar kur dhe si mund të emërohen drejtoret në komunën e Prizrenit.
Kujtim Gashi, që është nënkryetar i PDK-së në Prizren ka mohuar fraksionet brenda subjektit që është, duke thënë se tashmë kjo ‘është tejkaluar’.
Vonesat për kompletimin e ekzekutivit në këtë qytet ai e ka lidhur edhe me diçka tjetër.
“Kanë qenë festat e fundvitit dhe nuk kemi asnjë problem në parti. Nesër e kemi mbledhjen e Kryesisë së partisë dhe aty kryetari Totaj do të bëjë publike emrat e drejtorëve të rinj e që besoj do të emërohen deri në fund të javës. Janë propozime të shumta për shembull për një drejtori kemi tre ose katër propozime”, ka thënë Kujtim Gashi nënkryetar i PDK-së në Prizren.
Aktualisht PDK në kryeqytetin historik ka marrëveshje për bashkëqeverisje me Nismasocialdemorkate dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës e ku secila veç e veç do të ketë nga tri drejtori. Gazeta Blic.