Lajme

Forenzika shënon 15 vjetorin e themelimit

12/06/2018 15:19
nga:M H

Agjencia e Kosovës për Forenzikë e Ministrisë së Punëve të Brendshme ka mbajtur ceremoninë e 15vjetorit të themelimit të saj.

Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa theksoi se duke u nisur nga misioni dhe qëllimi i themelimit dhe funksionimit të AKF-së si institucion shtetëror me një rol të veçantë në sistemin e sigurisë dhe drejtësisë në shtetin, është një privilegj por edhe përgjegjësi dhe sfidë për menaxhimin e përgjithshëm të saj.

“Fusha forenzike të cilën e mbulon ky institucion është shumë e ndjeshme, e rëndësishme dhe përcaktuese në identifikimin, zbulimin, vërtetimin, parandalimin e kriminalitetit në vendin tonë”, tha Mustafa.

Ai shtoi se Agjencia e Kosovës për Forenzikë do të ketë përkrahjen e tij dhe drejtimin e duhur të përcaktuar me Ligjin për AKF-në dhe legjislacionin përcjellës të aprovuar.

Kryeshefi i AKF-së, Blerim Olluri, tha se kjo agjenci gjatë këtyre viteve ka luajtur një rol të rëndësishëm nëzbardhjen e veprave penale ku të gjitha ekspertizat janë kryer sipas standardeve më të larta ndërkombëtare, transmeton Klan Kosova.

Me këtë rast para të pranishmëve u paraqit edhe një film dokumentar i shkurtër lidhur me historikun e themelimit të AKF-së.

Disa nga të arriturat kryesore që janë realizuar gjatë këtyre viteve nga AKF:

-Kryerja në mënyrë profesionale dhe me standarde ndërkombëtare e rreth 4000 ekspertimeve me mbi 40 000 dëshmi përcjellëse çdo vit.

-Akreditimi i pesë laboratorëve me standarde ndërkombëtare të cilësisë ISO 17025.

-Rezultatet pozitive të të gjithë eksperteve në testet ndërkombëtare të zotësisë.