Lajme

Flitet për koalicion mes VV-së e PDK-së në Gjilan: Kështu mund të ndahet “torta” e pushtetit!

11/16/2021 22:15
nga:M K

Alban Hyseni është kryetar i ri i Gjilanit.

Ai do ta drejtojë njërën prej shtatë qendrave të mëdha të Kosovës, respektivisht një nga katër komunat në të cilat triumfoi VV-ja, përcjell GazetaBlic.

Hyseni fitoi në balotazh përballë kreut të deritanishëm, Lutfi Hazirit të LDK-së me 796 vota më tepër.

 

GazetaBlic, nga burime jozyrtare pranë VV-së merr vesh se shumë shpejt mund të arrihet një marrëveshje me PDK-në.

Edhe vetë kreu i sapokonfirmuar i Gjilanit, Alban Hyseni në RTV Dukagjini nuk e mohoi një bashkëqeverisje të mundshme me PDK.

Siç mëson gazeta, nesër pritet të merret edhe vendimi zyrtar. Nga burimet mësohet se pozita e nënkryetarit të Gjilanit dhe tri drejtori (nuk specifikohet) do t’i takojnë Partisë Demokratike.

Lidhur me këtë, GazetaBlic ka tentuar të kontaktojë me kandidaten e PDK-së, Leonora Morina – Bunjaku, por që e njëjta, deri në momentin e publikimit të lajmit, nuk është prononcuar.

Këto marrëveshje politike kanë qenë të pranishme në shumicën e komunave që shkuan në balotazh, por që një përqindje e madhe e tyre nuk u bë publike. Kujtojmë këtu faktin se partitë që nuk i fituan komunat në raundin e parë, nuk e kanë gjysmën e Kuvendeve Komunale respektive, me çka do t’u duhet të gjejnë partitë me të cilët do të bashkëpunojnë.

/GazetaBlic/