Opinion

Fletë ditari, mars 1999

A. R.A. R.

Shkruan: Rrahman Paçarizi

Lajme dëgjonin gjithë ditën. Hanim tri herë në ditë dhe na dukej sikur nuk po ngopeshin. Na kish hy njëfarë tërpie e kobshme. Aga Azem thoshte se ka “shenja se ka më u ba mirë”.

Daja Musa rrinte i zbehur dhe i frikësuar.

“Nuk e dini ju çka janë shkijet”, thoshte herë vetëmevete e herë na drejtohej neve. Kishin kalu katër a pesë ditë dhe nuk kishte lëvizje të policisë nëpër lagje. Pastaj, dikush tha se Prishtina po zbrazej. Gati të gjitha shtëpitë rreth asaj ku rrinim u zbrazën.

Na të tre dolëm për të hypë në një veturë, por për mua nuk kish vend.

“Mos u ndani, rrini bashkë!”, tha Aga Azem. Ndenjëm bashkë. Në mbramje lajmet të këqija. 24 të vrarë në katundin tim.

Spikeri lexonte emrat e të vrarëve. Secili emër që lexohej ma hiqte një pjesë nga zemra.

Pas secilit emër të lexuar e prisja emrin e babës.

Nuk u lexua emri i tij. Prapë nuk besoja, por s’kisha rrugë tjetër. Qava tinëz, qava për secilin prej tyre.

Të gjithë i kisha njoftë – tre djem të axhës së babës, të tjerët kushërinj të afërm, nëpër shtëpitë e të cilëve isha rritë si fëmijë.

Vdekja, domethënë, kish nisë vallen dhe do të na merrte me vete. Gati përditë kontrolloja xhepat e Laurit.

Kaluan tridhjetë ditë. Kodra e Diellit ish zbrazë pothuaj tërësisht dhe lëvizjet tona ishin reduktu maksimalisht. Vetëm gratë dhe i zoti i shpisë dilnin për të ble bukë.

Policë serbë dhe civilë romë silleshin keq – një ditë e kishin rrahur me shqelma një grua shtatzënë. Do të mbeteshim edhe pa bukë, ndërkohë që ushqimet e tjera po na pakësoheshin përditë.

Thanë se ish vra Fehmi Agani, por doli të kish qenë rrenë. Njëjtë u tha edhe për të tjerë.

Nuk dija gjë për Milazimi, Besimin e të tjerët.

Nuk dija më as për vete. Kur tashmë ushqimi ishte në të mbaruar dhe duke qenë shumë njerëz në një shtëpi mund të kallëzoheshim te policia nga fqinjët serbë, unë me gruan, djalin e vëllanë hymë në një shtëpi të braktisur, Aty nuk kishte asgjë përveç ca shtretërish të vjetër.

Nuk kish as ujë e as rrymë – pronari i kish ndërprerë meqë kishin ikë për Maqedoni.

Nuk kishim se si t’i përvëlonim shishet për qumështin e djalit. U përpoqëm ta vlojmë ujin me flakën e qirinjve. Pas dy ditësh sërish u kthyem aty ku ishim e të nesërmen hapëm derën e një shtëpie tjetër.

Aty kishte ushqim të mjaftueshëm, për nja një vit së paku. Njerëzit e pakët që lëviznin sillnin lajme të tmerrshme. Thuhej se në spitalin e Prishtinës të sëmurët shqiptarë operoheshin pa anestezion, thuhej se të plagosurve që silleshin aty u merreshin organet dhe liheshin të vdisnin nga gjakderdhja.

Flitej për dhunime në disa fshatra. Nja dy a tri net rresht dëgjonim zhurma që vinin nga stadiumi i qytetit. Thuhej se po i grumbullonin njerëzit në stadium, se po i mblidhnin, i fusnin në tren dhe i nisnin për Maqedoni – një pjesë i vrisnin rrugës. Askush nuk dinte të shpjegonte asgjë. Krejt çka dinim ishin lajmet e pakta në medie, bombardimet e përnatshme që dridhnin gjithë qytetin, sirenat e alarmit dhe bombardimi i përditshëm i Kodrës së Trimave dhe Kolevicës. Lagja ku rrinim ende nuk ishte prekur, nuk ishte bastisë asnjë shtëpi, ndërsa një rrugë më sipër e deri në fund të Prishtinës, ishte një qytet fantazmë.

(Shtatë udhë-Lufta ime)