Sporti

Flet Tahir Batatina: Kemi informacione që Prokuroria ka hedhur poshtë akuzat për kurdisje, shkojmë për rezultat pozitiv në Mitrovicë

09/25/2020 10:38
nga:Mergim Rreci

Trepça ’89 dhe Llapi zhvillojnë ndeshjen e tyre ditën e nesërme në Superligën e Kosovës.

Të dy skuadrat ende nuk e kanë shijuar fitoren në këtë edicion, ku në ndeshjet e tyre të para u mposhtën nga Arbëria, respektivisht Gjilani.

Para kësaj ndeshje për GazetaBlic Sport është prononcuar trajneri i skuadrës së Llapit, Tahir Batatina.

Batatina foli rreth ndeshjes së nesërme, paraqitjes së skuadrës së tij ndaj Gjilanit si dhe për akuzat për kurdisje që ishin pikërisht për ndeshjen, Trepça ’89 – Llapi në edicionin e kaluar.

Në lidhje me ndeshjen e nesërme ai tha se skuadra e tij është e përgatituar dhe shkon për rezultat pozitiv, pavarësisht që ndeshjet e para nuk janë të lehta.

“Mendoj që nuk është një ndeshje e lehtë, ne e respektojmë maksimalisht skuadrën e Trepçës ’89 pavarësisht humbjes që kishte në xhiron e parë. Skuadra është e kompletuar dhe ne jemi të përgatitur për një rezultat pozitiv. Shpresoj që nesër do të jetë një ndeshje me e kujdesshme nga futbollistët e Llapit për shkak se edhe ndaj Gjilanit e dominuam ndeshjen, por një gabim na kushtoi shumë” tha fillimisht trajneri Batatina.

Më pas ai foli për grupin e skuadrës së tij dhe se sa është ai i kënaqur me transferimet e tij në bazë të paraqitjeve të tyre në ndeshjen e parë.

“Ndeshja ndaj Gjilanit ka qenë një ndeshje fantastike nga futbollistët e mi dhe jam i kënaqur me paraqitjen e tyre. Unë kam besim të plotë të futbollistët dhe do të shkojmë ndeshje pas ndeshje për rezultate pozitive. Kampionati është shumë i gjatë, do të ketë shumë ndeshje dhe shumë mundësi për rezultate pozitive. Ne synojmë të jemi në mesin e katër pozitave të para në Superligën e Kosovës” vazhdoi me deklarimin e tij, Batatina për GazetaBlic Sport.

Në fund, trajneri i Llapit, Tahir Batatina foli edhe për akuzat për kurdisje që ishin pikërisht për ndeshjen, Trepça ’89 – Llapi në edicionin e kaluar. Ai tha që sipas informacioneve që ai ka kjo akuzë është hedhur poshtë nga Prokuroria.

“Ne nuk kemi informacione shumë të sakta, por disa nga informatat që kemi tregojnë që të gjitha akuzat për ndeshjet, Llapi – Drenica dhe Trepça ’89 – Llapi janë hedhur poshtë nga Prokuroria. Sipas informacioneve po të njëjta nuk janë gjetur as informacionet më të vogla që ka pasur diçka në atë ndeshje. Unë gjithmonë kam deklaruar në atë kohë që pasi i humbëm aspirtatat kisha vendosur të luaja me l0jtarë të rinj dhe nuk më interesonte më rezultati. Kjo duhet të jetë një mësim i mirë që nuk duhet të fliten gjëra të tilla publikisht të pa bazuara në fakte, ngase dëmtohet imazhi i futbollit kosovar dhe klubeve”, përfundoi Batatina.

/GazetaBlic/