Lajme

Flet Ibrahim Kelmendi, tregon të dyshuarit për vrasjen makabre të vëllait

02/27/2020 12:23
nga:Y I

Pas vrasjes së Qerim Kelmendit ka folur vëllai i tij Ibrahim Kelmendi.

Kelmendi, që momentalisht është duke jetuar jashtë Kosovës dyshon se Qerimi mund të jetë vrarë nga profesionistë të BIA-s serbe.

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Qerim Kelmendi, në orët e para të ditës së sotme u gjet nga policia i djegur në veturën e tij në fshatin Zahaq të Komunës së Pejës.

Deri më tani organet e rendit, nuk kanë bërë publike dyshimet e para.

Për Kelmendin, u tha se mund të ketë qenë i ftuar apo dëshmitarë në Gjykatën Speciale, mirëpo, që këtë informacion e kanë mohuar në familjen e tij.

Ish- udhëheqësi i Lëvizjes Popullore të Kosovës, Ibrahim Kelmendi, thotë se vëllai i tij i ndjerë deri sot nuk ka marrë asnjë ftesë për intervistim nga Gjykata Speciale.

Ai thotë se me Qerimin kishte komunikuar çdo ditë, e se ai nuk e kishte shfaqur ndonjë shqetësim, përveç atyre për të cilat thotë se ka shkruar edhe publikisht, e që ishin vrasjet politike.

“Deri sot nuk ka marrë asnjë lloj ftese nga strukturat e të ashtuquajturës Gjykatë Speciale. Për herë të fundit jemi pa para katër vitesh, meqë unë jam larg Kosove. Por përmes FCB kemi komunikuar përditë. Hera e fundit ishte pardje. Nuk ka shfaqur asnjë shqetësim ekstra, pos atyre që i ka shfaq në FCB, gjatë debatit për “vrasjet politike”, shton ai.

Kelmendi ka thënë se dyshon që prapa vrasjes së vëllait të tij qëndrojnë vrasës mercenarë, apo profesionistë të BIA-s serbe, që thotë se këtë e kanë bërë për të ndezur edhe më shumë armiqësimin mes krahut të luftës dhe atij të paqes.

“Dyshoj në vrasës mercenarë apo profesionistë të BIA-s së Serbisë, e cila duhet të ketë shfrytëzua rastin e debatit dhe grindjeve për “vrasjet politike”, për ta ndez edhe më shumë armiqësimin mes “krahëve” të luftë dhe pacifist” ka thënë Kelmendi për Express.

Sa herë që nxiten grindje e debate, BIA shfrytëzon rastin të bëjë vrasje, për ta armiqësuar sa më shumë ambientin mes shqiptarëve”, deklaron Kelmendi.

Për vrasjen e tij kanë reaguar presidenti i shtetit, Hashim Thaçi, ish-kryeministri Ramush Haradinaj dhe bashkëluftëtar të tij.