Lajme

Flet Arben Gashi për GazetaBlic, tregon se kur mund të hidhet në Kuvend për votim Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike

11/24/2020 11:20
nga:F K

Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike ende s’është finalizuar në Kuvendin e Kosovës, përkundër që në lexim të parë ka kaluar, shkruan GazetaBlic.

Ky projektligj është votuar në një seancë të jashtëzakonshme, me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Në po të njëjtin, është paraparë edhe ai për tërheqje e 10 për qind të kursimeve pensionale në Trust. Por, ky Ligj nuk ka arritur ende të miratohet në lexim të dytë.

E për këtë, i njëjti pritet të hidhet sërish në votim në një seancë të jashtëzakonshme gjatë javës së ardhshme. Kështu ka thënë për GazetaBlic edhe shefi i grupit parlamentar i LDK-së, Arben Gashi.

“Seanca e jashtëzakonshme është e thirrur, por besoj që do të aktivizohet gjatë javës së ardhshme. Nëse do të jemi në rregull, pasi ka disa deputetë që janë me COVID-19 dhe ka përpjekje që ta mundësojnë me thirr seancën”, ka thënë Gashi.

Se që duhet të votohet ky ligj për t’u ringjallur ekonomia e vendit pas dëmeve nga pandemia COVID-19, e kanë thënë edhe ambasadorë të huaj, e po ashtu edhe ekspertë të ekonomisë.

“Tani është koha që të reflektojnë. Ky ligj është i stërvonuar, pasi vendet e rajonit i kanë kryer dhe miratuar strategji për të dalë nga situata me COVID-19. E, këtu në Kosovë ende kemi pakon emergjente dhe atë të Rimëkëmbjes Ekonomike, e që nga marsi e deri më tani janë shpenzuar vetëm mbi 200 milionë euro, me të cilat nuk mund të rimëkëmbet një ekonomi e dëmtuar dhe e politizuar”, ka thënë Safet Gërxhaliu për GazetaBlic.

Duhet potencuar se më 11 nëntor dështoi të zhvillohej seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, ku pritej të diskutohej në lexim të dytë Projektligji për rimëkëmbje ekonomike. Kjo, për shkak të mungesës së kuorumit.

Qëllimi i këtij Projektligji është plotësimi dhe ndryshimi i disa ligjeve, me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomisë së Republikës së Kosovës, pas efekteve negative të shkaktuara nga pandemia COVID -19.

Ndërkohë, deri më tani është raportuar se mijëra biznese në Kosovë janë mbyllur si pasojë e pandemisë së koronavirusit./GazetaBlic

Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike kurrkund: Qytetarët po mbesin pa punë e bizneset po mbyllen

 

Hoti i bindur: Shumë shpejtë dihet ose emri i presidentit ose data e zgjedhjeve të reja

12/16/2020 23:47

Shefi i GP të LDK-së akuzon Nagavcin se po nxitë qëllimshëm tensione në Kuvend