Lajme

Figura e Hilmi Haradinajt që përjetoi vdekjen e tre djemve dhe nipit

06/18/2018 16:53
nga:A. R.

Hilmi Haradinajt i është dhënë lamtumira e fundit pak para orësh.

Ai me nderime të larta shtetërore u varros në kompleksin e varrezave në Gllogjan, aty ku dhe lindi.

Por, kush ishte Hilmi Haradinaj, personi që tërë jetën e kishte pasur vuajtje dhe pikëllim.

Kjo pasi që ai përjetoi vdekjen e tre djemve të tij dhe po ashtu vdekjen e nipit të tij, i cili vdiq pasi u shkel nga autobusi, shkruan Gazeta Blic.

Hilmi Haradinajt, iu vranë dy djemtë e tij në luftën e fundit në Kosovë.

Luani dhe Shkelzeni, ishin dy dëshmorët e kombit, që familja e Hilmi Haradinajt ia dha lirisë së Kosovës.

Edhe Ramush Haradinaj, i cili në periudhën e luftës ishte komandant i UCK-së, në zonën e Dukagjinit, kishte mbetur i plagosur, po në të njëjtën luftë.

Lufta e vitit 1998/99, e kishte gjetur të përgatitur Hilmi Haradinajn, i cili së bashku me djemtë: Ramushin, Luanin, Shkelzenin, Dautin dhe Enverin, kishin qenë të angazhuar për çlirimin e Kosovës, nga regjimi serb.

Ai në një dokumentar të realizuar në vitin 2013, pati treguar për momentet më të sikletshme që i kanë ndodhur familjes së tij, gjatë luftës së fundit në Kosovës.

Hilmi Haradinaj, tregonte edhe për ndihmën që ai ua jepte djemve të tij në ofensivat kundër ushtrisë serbe, e sidomos në dy momentet e rrethimit të shtëpisë së tyre.

Edhe pse lufta ia mori dy djem, vuajtjet për të, nuk mbaruan me të përfunduar lufta.

Madje, mund të thuhet se ato veçse iu shtuan.

Ishte viti 2005, kur atij në rrethana misterioze, iu vra djali i tij, Enver Haradinaj.

Ndaj tij në atë kohë ishte organizuar një atentat, duke e lënë të vdekur.

Vrasësi sot e asaj dite ende nuk është gjetur, shkruan Gazeta Blic.

Po ashtu, pas përfundimit të luftës, familjes Haradinaj, i kishte ndodhur edhe një tragjedi.

Djali i heroit Shkelzen Haradinaj, kishte vdekur pasi që ishte shkelur nga autobusi, duke e lënë të vdekur qysh në moshën e re.

Kontributin e Hilmi Haradinajt dhe familjes së tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ai është dashur ta paguajë, edhe pas përfundimit të tij.

Në vitin 2004, Tribunali i Hagës, mori Ramush Haradinajn, nën akuzën për krime lufte.

Në procese gjyqësore në Hagë, Haradinaj kishte kaluar deri më 10 maj të vitit 2012.

Por, probleme me drejtësinë ndërkombëtare, për të njëjtën aktakuzë, Haradinaj kishte pasur edhe në vitin 2017.

Ai ishte arrestuar dhe mbajtur për katër muaj në Kolmar të Francës.

Lirimit të Ramush Haradinajt, babai i tij, Hilmiu i ishte gëzuar aq shumë, sa që nuk kishte mundur që t’i mbajë lotët e gëzimit.

Thoshte se Ramush Haradinaj, nuk është vetëm i tij, por i Kosovës dhe mbarë shqiptarisë.

Vuajtje për Hilmi Haradinajn, kishte pasur edhe në kohën kur djali i tij, Dauti, tashmë deputet i Kuvendit të Kosovës, kishte qenë i dënuar me 5 vjet për krime lufte.

Përkundër të gjithë këtyre ngjarjeve, Hilmi Haradinaj gjithmonë kishte tentuar që të mbetet i fortë.

Vazhdimisht kishte tentuar që mërzinë e tij për humbjen e djemve dhe nipit, ndjekjen e dy djemve të tij të gjallë, ta mbante për vete, duke mos dashur që ta reflektojë tek të tjerët.

Si rrallë herë, Hilmi Haradinaj, ishte treguar shumë i lumtur, në ditën e 9 shtatorit të vitit të kaluar, dita kur Ramush Haradinaj po bëhej kryeministër.

Ai ndërroi jetë në mëngjesin e 17 qershorit, pas një sëmundje të rëndë, duke lënë vepra të mëdha pas vetës.

Shumë personalitete të politikës, showbizzit dhe biznesit, kanë shprehur pikëllimin për vdekjen e tij, duke qenë pjesë e ceremonisë së varrimit të Hilmi Haradinaj.

Hilmi Haradinaj, po cilësohet si një ndër personalitetet më meritore për çlirimin e Kosovës./Gazeta Blic.

09/11/2019 11:30

Muharrem Nitaj i AAK-së e publikon një “sondazh”: Kjo është partia e parë aktualisht!