Showtime

Fifi, me shumë ‘Zhurmë’ në Kënga Magjike (Foto/Video)

11/03/2017 17:13
nga:N S

Këngëtarja Filloreta Raçi, e njohur si Fifi ka bërë javën e kaluar prezantimin e saj në festivalin “Kënga Magjike 2017”.

Ajo ka vendosur ta sfidojë veten në garën e madhe të muzikës me një këngë, e cila që në momentet e para të publikimit, ka arritur të godasë në veshin e publikut.

“Zhurmë” titullohet kënga e saj më e re, një baladë e punuar bukur dhe me shumë elemente nga dora e kompozitorit Kledi Bahiti, gjersa vargjet rrëqethëse të tekstit i shkroi vet këngëtarja.

Në një bisedë për Telegrafin, Filloreta tregoi në detaje të shkurtra të vërtetën e këngës së sa më të re, e cila ashtu si edhe vet titulli, shkaktoi shumë “Zhurmë”.

“Kënga ime re ‘Zhurmë’ është punuar nga Kledi, ndërsa tekstin e kam shkruar vetë. E veçanta e saj është se është e bazuar në një ngjarje të vërtetë. Ka mjaft ndjeshmëri brenda, dhe mendoj që u shoqërua bukur edhe me performancë. Jam e lumtur që u prit mirë nga publiku”, tha Fifi për Telegrafin.

E pyetur për suksesin, Fifi tha se është ende herët për të folur rreth Këngës Magjike, pasi do një muaj deri në netët finale të këtij festivali.

 

“Mendoj që është akoma herët , pasi kënga vetëm sa ka dalë dhe nuk e di si do të ecë në vazhdim, por gjithsesi do përpiqem maksimalisht që ta sjell sa më bukur në fazën e ardhshme”, tha më tej ajo.

 

Siç edhe fansat kanë pasur mundësinë ta shohin, në rrjetet sociale kjo këngë është shpërndarë shumë, veçanërisht nga këngëtarët e tjerë, të cilët i dhanë një mbështetje shumë të madhe këngëtares.

“Çdo herë ndjehesh mirë kur puna jote vlerësohet, dhe shpërndarja e këngës ‘Zhurmë’ nga kolegët e mi më ka bërë të ndihem vërtetë mirë, të cilët njëherësh edhe i falënderoj për përkrahjen”, përfundoi Fifi për Telegrafin.

 

Ndryshe, në festivalin “Kënga Magjike” duket të ketë një konkurrencë mjaft të fortë këtë vit.

Gjysmëfinalet e edicionit të nëntëmbëdhjetë të këtij festivali do të zhvillohen në datat 7 dhe 8 nëntor, ndërsa nata finale do të mbahet më 9 nëntor në Pallatin e Kongreseve.

12/14/2017 14:16

Momenti qesharak i Fifit dhe Elhaida Danit (FOTO)