BLIC.TV

Ferdonije Qerkezi e zhgënjyer me drejtësinë ndërkombëtare, ka disa fjalë për Tribunalin dhe Institucionet e Kosovës

05/17/2019 23:46
nga:Flamur Bublica

Kanë kaluar më shumë se 20-vite duke kërkuar drejtësi për më të dashurit e saj.

Ferdonije Qerkezi nga Gjakova të cilës policët serb ia rrëmbyen gjithë familjen, tregon për “BlicInterview me Astrit Gashin” se çka ka ndërmarrë deri sot për zbardhjen e fatit të burrit e të djemve.

E mllefosur dhe e zhgënjyer me drejtësinë ndërkombëtare, Qerkezi tregon me detaje se ku kishte dëshmuar për ngjarjen që i kishte ndodhur dhe se çka është bërë deri më sot për këtë punë, shkruan GazetaBlic.

Tregon se menjëherë pas përfundimit të luftës kishte dëshmuar në Misionin e OKB-së të vendosur në Kosovë – UNMIK e më pas edhe në EULEX.

Ferdonije Qerkezi rrëfen se kur kishte shkuar në UNMIK për të paraqitur rastin, letrat të cilat i kishte dorëzuar, nuk i kishin shikuar fare por vetëm i kishin vendosur me një fijokë.

UNMIK i futi në fijokë dëshmitë e mia, EULEX edhe më zi dhe të tanët nuk bënë asgjë.” – thotë ajo.

Qerkezi shprehet e çuditur edhe me EULEX-in. Policia e tyre thotë se nuk e merr me mend sa shpesh kishte ardhur në shtëpinë e saj, por pavarësisht kësaj rasti ende vazhdon të mbetet në pikën zero.

Pas luftës kam dëshmuar në UNMIK, menjëherë pas luftës, më pas në EULEX, sa policia e EULEX-it ka ardhur këtu sa nuk mund ta marrësh me mend dhe asgjë nuk ka lëvizur – procesi është në pikën zero, por unë dhe shoqata thirrjet e nënave nuk jemi ndalur për t`i treguar botës se çfarë kanë bërë serbët te ne. Qeveritarët tanë nuk kanë bërë asgjë.” – shprehet ajo.

E pyetur nëse beson në mundësinë e krijimit të një Tribunali për krimet serbe në Kosovë, ajo u shpreh skeptike edhe pse uron që të bëhet.

Besoj pak por jo shumë … ata për këtë punë s`kanë lëvizur hiq po flasim tamam, por tash me këtë iniciativë të them pak (besoj), por inshalla do të bëhet.” – shtoj Qerkezi duke folur për iniciativën e nisur nga kryeparlamentari, Kadri Veseli.

Për të, kërkim falja nga Serbia nuk mjafton, pasi që thotë se edhe po të kalojnë edhe 20-vite të tjera ata (serbët) të njëjtin krim do ta bëjnë.

Jo kërkim falja nuk mjafton. Edhe nëse kërkojnë falje çka? Ata të njëjti janë, si sot si para 20 vite, të njëjtin krim e bëjnë. UNMIK i futi në tavolinë dëshmitë e mia EULEX edhe më zi dhe të tanët nuk bënë asgjë,” – tha ajo.

Krejt në fund të emisionit Qerkezi pati një mesazh për Institucionet vendore dhe ndërkombëtare, të cilave u bëri thirrje të bëjnë sa më shumë për fatin e djemve të tyre. Sa për EULEX-in, thotë se dëshmitë i kanë, por flenë gjumë.

Institucionet tona dhe ato ndërkombëtarë të bëjnë sa më shumë për zbardhjen e fatit të djemve tanë dhe të gjithë të tjerëve. EULEX dëshmitë i ka por ata po flenë në gjumë,” – ka shtuar krejt në fund Ferdonije Qerkezi, e cila gjatë luftës humbi pesë anëtarë të familjes – bashkëshortin dhe katër djemtë.

/ © GazetaBlic /

09/16/2019 01:56

Berisha: Jam më rugovist se Ibrahim Rugova