Lajme

Ferat Shala takon dy bashkëluftëtarët më të veçantë për nga nderi, besa e burrnia

01/14/2021 13:07
nga:Y I

Aziz dhe Osman Islamaj janë dy luftëtarët më të veçantë që kanë lënë gjurmë, e vepra të mira gjatë luftës çlirimtare në Kosovë.

Gjatë një takimi me ta, Ferat Shala nga PDK, ka shkruar se ata i ka njohur në kohëra shumë të vështira, atëherë kur njeriu vlerësohej jo për nga fama dhe pasuria, por për nga nderi, besa e burrnia.

Për të parin, një ndër artistët më të mëdhenjtë në fushën e skulpturës në vend, Shala ka treguar se si e la Akademinë e Arteve për t’iu bashkuar radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Në memorien time Aziz Islamaj e kam të shënjuar si njërin nga profesorët e mi të hershëm – prej atyre profesorëve të cilëve autoriteti u qëndronte çdo herë si hije aureole. Kur e kam parë për herë të parë tek u jepte forma artistike gurëve dhe drurëve të Murgës, atëherë e kam kuptuar se artistët si Aziz Islami figurave të tyre në të vërtetë u jepnin dhe nga një pjesë të shpirtit të tyre. Kur plasën pushkët e lirisë, Profesor Azizi la Akademinë e Arteve, la dhe atelienë, doli luftëtar. Ne ishim shumë të lumtur që në mesin tonë kishim dhe një luftëtar – profesor si Aziz Islamaj. Atelienë me skulptura në Murgë ia dogjën flakët e luftës, por nga hiri i tyre u ndërtua liria jonë”, ka shkruar Shala.

Edhe tregimi për të vëllanë e Azizit – Osmanin, është i veçantë, siç është i veçantë vet Osmani.

“Burrërinë dhe trimërinë e tij gjithmonë e kam admiruar. Kam shumë kujtime lufte me Osmanin, si njëri prej luftëtarëve më të zotë që pati Drenica. Gjatë gjithë luftës ai kurrë nuk diti t’ia kthej shpinën armikut, luftoi siç kishin luftuar shokët e tij të istikameve, Mujë Krasniqi e Fehmi Lladrovci. Osmani nuk u ligështua as në dhjetorin e akullt të vitit 1998, kur në Drenicë erdhi për ta sjell mandatën e rënies së 41 shokëve tanë në krye me komandant Mujë Krasniqin. Ende e kam parasysh çastin kur ma dha atë letër të bardhë që ndrynte brenda saj zinë për 41 luftëtarët e rënë në Pashtrik. Ndoshta unë edhe do të jem ligështuar atë çast, por mbaj mend se Osman Islamaj jo. Në zemrën e tij kishte vend edhe për dhembjet tona”, ka shkruar Shala, që në luftë për çlirimin e Kosovës kishte nofkën Pllumbi.