Një shtëpi në fshatin Saraishtë të Ferizajt është përfshirë nga zjarri të shtunën që lam pas. Tragjedia e gjithë kësaj ngjarje ishte se në ato momente në një nga dhomat e shtëpisë ndodhej një fëmijë 3 vjeç. Si pasojë e flakëve të mëdha, fëmija ka pësuar lëndime të rënda trupore duke iu djegur trupi mbi 75%.
Doktori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla, ka theksuar së fëmija ka lëndime serioze të cilat ia rrezikojnë jetën në maksimum.
Teksa Policia e Kosovës po e heton rastin, dyshimet e para mbi shkaqet e zjarrit lidhen me një problem me rrymën. E për këto dyshime në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe ekipet e KEDS-it.
Lidhur me këtë rast Zyra për Komunikim në KEDS në një përgjigjë për Expess ka thënë se ekipet në vendin e ngjarjes kanë marrë të dhënat dhe janë duke i analizuar ato për krijimin e një raporti.
Pasi raporti në fjalë nuk ka përfunduar akoma, KEDS ka kërkuar që palët të përmbahën nga konkludimet lidhur me shkaqet e zjarrit.
“Ekipet e KEDS kanë qenë në vendin e ngjarjes, i kanë marrë të dhënat, janë duke i analizuar ato dhe do ta përpilojnë një raport profesional ne baze te atyre te dhenave. Pasi raproti nuk eshte i gatshem ende, KEDS lut të gjitha palët të përmbahen nga konkludimet lidhur me shkaktarin e zjarrit”, thuhet në përgjigjen e KEDS .
Tutje, doktor Syla ka deklaruar se fëmija ka djegie mbi 75 për qind të sipërfaqes së trupit gjendja shëndetësore është me të vërtetë e vështirë.
Ai tha se fëmija është sjellur në QKUK nga Spitali i Ferizajt.
Pamjet nga shtëpia e djegur janë publikuar në rrjetet sociale.
Sipas policisë, fëmija ishte brenda në dhomë në momentin kur kishte shpërthyer zjarri dhe i njëjti ka pësuar lëndime trupore.
“LËNDIM TRUPOR/INCIDENT ZJARRI /Ferizaj 25.12.2021 – 17:00. Është raportuar se pasi zjarri ka kapluar një shtëpi aty brenda në një dhomë ishte një fëmijë tre vjeç i lënduar nga tymi dhe flaka. Fëmiu i lënduar është dërguar në QKUK-Prishtinë për tretman mjekësor. Rasti nën hetime”, ka njoftuar policia dje me anë të raportit 24 orësh.