Sporti

FBK dhe FSHB në vlugun e përgatitjeve për ligën e përbashkët mes Kosovës e Shqipërisë

06/04/2020 12:22
nga:M K

Federatat e basketbollit në të dy anët e kufirit po punojnë maksimalisht për projektin “Liga e Përbashkët”.

Këtë e ka pranuar vetë shtëpia numër një e basketbollit kosovar përmes një komunikate në sajtin zyrtar, përcjell GazetaBlic.

Sipas tyre, ekipet teknike të FBK-së dhe FSHB-së po bëjnë gjithçka që është e mundur që projekti të jetësohet.

Më poshtë edhe njoftimi i plotë i FBK-së.

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) dhe Federata Shqiptare e Basketbollit (FSHB) janë në vlugun e përgatitjeve për krijimin e Ligës së Përbashkët, që pritet të fillojë në shtator të këtij viti.

Ekipet teknike të FBK-së dhe FSHB-së të udhëhequra nga Sekretarët e Përgjithshëm, sot i kanë përfunduar përgatitjet e draft dokumenteve të nevojshme për krijimin dhe jetësimin e Ligës së Përbashkët, Kosovë-Shqipëri.

Elvira Dushku – Sekretare e Përgjithshme e FBK-së:

“Për dy javë aq sa kemi pasur kohë ne si ekipe teknike i kemi përgatitur të gjitha dokumentet natyrisht në formë të drafteve, pasi që ato fillimisht duhet të marrin dritën e gjelbër nga kryetarët e të dyja Federatave dhe nga Bordet Ekzekutive të të dyja Federatave.

Gjatë hartimit të këtyre dokumenteve në formë të drafteve ne kemi pasur bashkëpunim shumë të mirë me ekipin teknik të FSHB-së të udhëhequr nga Sekretari i Përgjithshëm, Korab Llazani dhe mund të them se jetësimi i kësaj lige sikur na ka motivuar shumë, por edhe na ka emocionuar, duke marrë parasysh faktin se për këtë ligë është përfolur shumë në vitet e fundit.

Pas përfundimit të procedurave të votimit të dokumenteve nga Bordet Ekzekutive të të dyja Federatave, ne do të jemi të gatshëm të vazhdojmë me nënshkrimin e marrëveshjes e cila do t’i jepte vulën përfundimtare krijimit të ligës.

Ndërkaq në mbledhjen e radhës së Bordit të FBK-së pritet të diskutohet dhe të vendoset për ekipet nga Kosova që pritet të marrin pjesë në këtë ligë, derisa të njëjtën gjë pritet ta bëjë edhe Shqipëria.

Liga e Përbashkët Kosovë-Shqipëri ka zgjuar interesim të madh jo vetëm në Kosovë e Shqipëri, por edhe më gjerë, pasi tashmë kanë filluar edhe disa shtete tjera të Ballkanit të interesohen për krijimin e ligave të përbashkëta ndërmjet dy apo tri shteteve dhe kjo sigurisht shkon në favor të basketbollit dhe marketingut të sportit tonë të zemrës”.

Duhet theksuar se në ekipin teknik të FBK-së për përgatitjen e dokumenteve për Ligën e Përbashkët kanë punuar Elvira Dushku – Sekretare e Përgjithshme, Faton Kurshumlija – FIBA Instruktor Nacional dhe Leart Hoxha – anëtar i Bordit.

/GazetaBlic/

09/19/2020 12:02

FIBA shpalos detajet për kualifikueset për Kupën e Botës, “preket” edhe Kosova