Sporti

Fantastik në portën e Ballkanit, Artan Iljazi: Qëllimi ynë është ta rikthejmë titullin kampion në Suharekë

12/23/2025 11:18
nga:Mergim Rreci

Ballkani është kampion vjeshtor në Superligën e Kosovës në futboll.

Skuadra nga Suhareka e mbylli sezonin në vendin e parë, duke dëshmuar forcën dhe duke dhënë sinjale të qarta se do të luftojë për ta rikthyer titullin.

Një nga pikat e forta të kësaj skuadre ishte portieri Artan Iljazi, i cili ishte një siguri e shtuar në formacionin e drejtuar fillimisht nga Orges Shehi, pastaj edhe nga Mislav Karoglan.

Përveç sigurisë që ofron në portë, Iljazi është përshtatur mirë me pjesën e bashkëlojtarëve, duke i dhënë ritëm edhe ndërtimit të aksionit, gjë që sot është një pikë shumë ndihmuese në futboll.

Në prononcimin e tij për ‘GazetaBlic Sport’, Iljazi tha se është shumë i kënaqur me atë që kanë arritur deri më tash, poashtu që ky sukses është sukses i punës së përbashkët me skuadrën.

Jam shumë i kënaqur me atë që kemi arritur deri tani si skuadër. Vendin e parë nuk e shoh si sukses individual, por si rezultat të punës së madhe të gjithë ekipit, stafit dhe klubit. Sa i përket paraqitjeve të mia personale, mundohem çdo ndeshje të jap maksimumin dhe të ndihmoj ekipin sa më shumë. Kjo më motivon edhe më tepër që të vazhdoj të punoj fort, sepse ende nuk kemi arritur objektivin final“, tha fillimisht ai.

Tutje, ai u pyet edhe për mundësinë që titulli të rikthehet në Suharekë, ku pati edhe një premtim të madh për të gjithë tifozët e klubit.

“Po, besoj se jemi në rrugën e duhur, por futbolli nuk të fal dhe çdo ndeshje duhet trajtuar me seriozitet maksimal. Qëllimi ynë është ta rikthejmë titullin kampion në Suharekë dhe për këtë po punojmë çdo ditë. Ka disa skuadra shumë cilësore në kampionat dhe çdo ndeshje është e vështirë, por mendoj se rivali më i madh jemi vetë ne, sepse nëse japim maksimumin dhe ruajmë fokusin, kemi shumë gjasa ta arrijmë objektivin”, përfundoi Iljazi.

/GazetaBlic Sport/