Esat Shala, koleksionues i mijëra dëshmive të luftës që nga viti 2004, në një rrëfim për dokumentarin Expose ka folur për masakrat e bëra në Kosovë nga forcat serbe gjatë luftës së fundit.
Në gjithë arkivin e tij, ai veçon një nga rastet më të rënda, ku vetëm një foshnje 6 muajshe shpëtoi nga një granatë që vrau gjithë familjen e saj.
“Është një rast në Komunën e Skenderajt të cilin nuk e them tamam me detaje për shkak se ajo vajza sot nuk e di që familja i është vrarë në luftë. Gjatë luftës asaj familjes i bie granata dhe shpëton vetëm ajo vajzë 5-6 muajshe, dhe pas asaj tragjedia e merr një familje e adapton shkojnë në Maqedoni, nga aty në një vend tjetër dhe sot ajo nuk e di se familja i është vrarë në luftë dhe nuk e di që ajo familje që jeton sot nuk është biologjike e saj”, thotë ai.
Një rast tjetër të cilin e tregon teksa shikon videon, është ajo e familjes Balaj në Rumanishtë të Prishtinës, për të cilën thotë se asnjëherë nuk është folur nga askush.
Ndërsa në Koliq – një familje tjetër u masakrua me armë të rënda, ku oborri ishte përplot me fëmijë.
“Familja Balaj e fshatit Rumanishtë të Prishtinës, janë të gjithë të djegur me benzinë, për fat të keq për këtë masakër s’ka folur askush deri më sot. Janë të djegur me benzinë në stallë, 5-6 veta”, thekson Shala.
“Një masakër në Koliq, një tjetër familje që është sulmuar me armë të rënda, është një oborr përplot me fëmijë, edhe për këtë pak është folur, si ka interesuar kurrkujt, shtetit serb i kanë penguar edhe fëmijët”, tregon Esat Shala./Gazeta Blic/


