Uncategorized

Familja Bajqinovci tre shekuj në shërbim të atdheut

05/30/2020 23:16
nga:A. R.

Shkruan: Sadri Rexhepi

Familja atdhetare e Bel Bajqinovcit ka qenë familje luftëtarësh. Kushërinjtë Bellë Bajqinovci dhe Ahmet Bajqinovci ishin të pandarë dhe tërë kohën e kaluan së bashku.

Pas vrasjes së Ahmet Bajqinovcit tradhtisht nga serbët, në vitin 1912 në fshatin Popovë, amanetin e babait e vazhdoi djali i tij i madh Shyti (Shyt Bajqinovci).[1] Qysh prej asaj kohe Shyti me tre vëllezërit e tij Hamitin, Halitin dhe Salihun, i rrëmbyen pushkët dhe dolën në mal për liri.[2] Shyti me vëllezër në fillim u hodh në çetën e kushëririt të tij, të luftëtarit të vjetër Bellë Bajqinovci, i cili prej kohësh ishte hedhur në arrati së bashku me djemtë e tij.[3]Të vëllazëruar me kryengritësit e udhëhequr nga atdhetari Mehmet Konjuhi këta luftëtarë luftuan thikë me thikë si me pushtuesit serbë, po ashtu edhe me ata bullgarë, që erdhën në këto troje gjatë Luftës së Parë Botërore.[4]Shyti ishte anëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Bellë Bajqinovci nuk mësoi vetëm artin e vështirë të luftës, por edhe historinë e lavdishme të të parëve të tij, që aq trimërisht luftuan në Grykën e Kulinës kundër osmanlinjve në vitin 1910.[5]Në këtë grykë, që ndodhet në veri të Prishtinës, ku përfshihen fshatrat Tenezhdoll, Lupç i Poshtëm, Majac, Lupç i Epërm, Popovë e Segashë, të tërbuar nga humbjet që pësuan, osmanlinjtë hynë me urë zjarri në duar në vendlindjen e këtyre luftëtarëve në Popovë, ku vranë e torturuan mjaft njerëz nga rrënja e familjes Bajqinovci apo fisi kryengritës i Bajçinovcëve.[6] Në vjeshtë të vitit 1918, serbët zbritën përsëri në Kosovë dhe gjatë përleshjeve u vra edhe trimi i vjetër Bellë Bajqinovci. Patriotët Hoxhë Kadri Prishtina, Hasan Prishtina etj. kishin lëshuar në mbarë Kosovën kushtrimin për luftë kundër serbëve.[7] Kushtrimi mbërriti edhe në Vushtrri e në Llap. Me qindra luftëtarë u ngritën në këmbë, nën udhëheqjen e vëllezërve Bajqinovci. Pikësynimi i serbo mëdhenjve ishte pushtimi i Kosovës. Ata ngritën administratën e tyre. Vendin e ndanë në krahina. Në krye të çdo administrate lokale u vu një perfekt serb dhe në komunë kryetari i komunës ishte serb.[8]Këto vegla ishin lidhur ngushtë me bejlerët e vendit me tradhtarët e popullit të tyre dhe lojalët e ndryshëm si mjeran per kohen kur vepruan etj.[9]Gjatë kësaj kohe luftëtarët me në krye Shyt Bajqinovcin u vëllazëruan edhe me kryengritësit e Drenicës, të udhëhequr nga trimi Azem Galica.[10] Azemi kishte kaluar shumë kohë në malet e Grykës së Kaqanollit dmth në veriperëndim të Llapit dhe veriperëndim të Kosovës administrative dhe kishte gjetur strehim në këto vende.[11] Nga të parët që u hodhën në zjarrin e luftës në rrethin e Podrimës ishin luftëtarët e udhëhequr nga Tush Bajqinovci. Bashkë me vëllezërit e tij, Hamitin, Halilin dhe Salihun afër fshatit Zverk të këtij rrethi, më 9 tetor të vitit 1920 treguan trimëri të rrallë.[12] Tushi u shqua si organizator për shtimin e radhëve me luftëtarë të rinj. Në këto luftime morën pjesë edhe gratë, të cilat luftuan krah për krah burrave edhe vëllezërve. Në këto përleshje të pabarabarta serbët vunë në përdorim edhe aviacionin.[13] Megjithatë, shqiptarët luftuan me këngë në gojë. Përpjekje të ashpra nga humbjet e ndjeshme që pësoi, pushtuesi bëri masakra çnjerëzore. Në vendlindjen e Tush Bajqinovcit në Popovë u masakruan 31 pleq, gra dhe fëmijë.[14] Për të ngjallur urrejtjen në popullsinë vendase për këta luftëtarë të lirisë qeveria serbe ngriti banda kolonësh serbë të veshur me rroba kombëtare shqiptare që dinin shqip. Këta nën maskën e kryengritësve, i bindnin njerëzit nëpër fshatra kosovare dhe bënin krime.[15]

Për shfarosjen e këtyre bandave dha një ndihmesë të mirë edhe Tush Bajqinovci me luftëtarët e tij. Është i njohur rasti shumë i rëndë që përjetoi familja Bajqinovci në vitin 1924, kur serbët e revoltuar nga luftërat që bënin vëllezërit Bajqinovci një ditë e rrethuan familjen e Bellë Bajqinovcit dhe i kidnapuan shoqen e tij, Elifen dhe dy djemtë e tij Jakupin dhe Ajetin dhe disa mysafirë të cilët kishin qenë aty.[16] Kështu, tërë familjen e Bellit e dërguan në kamp në kishën e Babimofcit dhe ashtu pa bukë e pa ujë i mbajtën për disa javë të tëra.[17] Serbët kishin vënë kusht për dorëzimin e Bellë Bajqinovcit dhe shoqes së tij, por luftëtari Tush Bajqinovci i cili ishte një nga bashkëluftëtarët më të ngushtë të Bajram Currit, zbriti nga malet e Gerdeçit të Majasit, duke kaluar sukën përmbi Barilevë dhe është afruar afër Kishës së Babimofcit ku ishin vendosur të zënë robër familja e Bellit.[18]Po sa ishte afruar trimi afër kishës kishte vrarë tre xhandarë të rojës dhe me vete kishte marrë robërit, pengjet dhe i kishte dërguar në Popovë. Vite me radhë ushtonin malet e fushat e Kosovës nga krismat e pushkëve të vëllezërve Bajqinovci.[19] Në pamundësi për t’i zënë të gjallë, në dorë, thjesht për çështje taktike, Beogradi u lejoi kryengritësve disa zona të caktuara, duke u premtuar se do t`i linte të qetë, nuk do të ndiqeshin më nga forcat qeveritare.[20] Mirëpo, serbo mdhenjetë nuk e mbajtën fjalën. Më 10 shkurt të vitit 1924 serbët e rrethuan me forca të shtuara trefish lagjen Zagorth të fshatit Dumnicë, ku strehohej familja Bajqinovci dhe e luftëtarëve të dëgjuar të kohës, sikurse ishte Mehmet Konjuhi etj.[21]

Një orë para lindjes së diellit plasi pushka. Vëllezërit Bajqinovci të zemëruar nga tradhtia, nuk i mbante vendi. Ishin spiunuar nga një bashkëpunëtor i UDB-së. Lufta filloi me tërbim. Majori serb Peroviq, i dëshpëruar që nuk e merrte dot kullën e Bajqinofcëve, u detyra të sillte top për ta rrëzuar.[22] Megjithatë, Shyti me vëllezërit e tij edhe pse trarët dhe tjegullat e kullës u binin mbi trup luftuan e s`u tundej këmba. Pas 24 orë lufte të pa ndërprerë, Shyti me vëllezërit e tij dolën nga kulla nëpërmjet një kanali nëntokësor, kurse armiqtë të dëshpëruar me t`u errësuar dita, u larguan me humbje të shumta.[23] Familja e Bajqinofcëve u kap tradhtisht nga repartet speciale të ndjekjes serbe dhe u burgos në burgun famëkeq të Vushtrrisë.[24] Megjithëkëtë, Tush Bajqinovci me vëllezërit e tij vazhdoi luftën kundër serbëve dhe veglave të tyre. Me rënien e kryengritjes në pamundësi për të qëndruar në Kosovë, Shyti me vëllezërit u sistemuan familjarisht brenda shtetit shqiptar, fillimisht në Bufazi të Fierit dhe më vonë në Seman.[25] Një pjesë e familjes duke menduar se situata politike në Kosovë është përmirësuar pas pushtimit të Jugosllavisë, kthehet në vatrat e tyre shekullore, por pas vitit 1944 përsëri UDB-ja dhe OZNA u bien në ndjekje familjes Bajqinovci.[26] Përsëri të denoncuar nga shqiptarët lojalë familjes Bajqinovci i bie në gjurmë pushteti dhe në fshatin Lajthishtë (ish Leshkoshiq) të Kastriotit (ish Obiliqit), ku rrethohet familja e Shyt Bajqinovcit.[27]

Shyti kishte bërë një luftë të ashpër me serbët, por duke qenë i pa barabartë në armatim, vrahet barbarisht nga serbosllavët në mesditën e 15 prillit të vitit 1944.[28]Me vdekjen e këtij atdhetari Kosova dhe mbarë Shqipëria humbi njërin nga bijtë më të shtrenjtë të saj për qëndresën heroike, për luftën kundër serbëve dhe për qëndrim të pastër kombëtar. Presidenti i Shqipërisë në vitet 1992-1997, Sali Berisha, e dekoroi familjen Bajqinovci me dekoratën e lartë të shtetit shqiptar, për trimëri, dekoratën e mbajnë sot e kësaj dite familja Bajqinovci në Bufazi të Fierit.[29]Kadri Bajqinovci ishte i lindur më 16.07.1937 në Bufazi të Fierit, në Shqipëri, por deri vonë ka jetuar në Prishtinë, në lagjen Kodra e Trimave, bashkë me dy vëllezërit e tij. Pasi një takuami dhe bisede me të, filloi të kujtojë historinë e familjes së tij. Gjyshin tim Bellë Bajqinovcin e vranë pabesisht serbët, të ndihmuar nga shqiptarët të cilët ishin paguar nga Serbia për vrasjen e Bellës. Bellë Bajqinovci ishte njëri ndër patriotët e shquar të Krahinës së Llapit e Kosovës gjatë viteve 1912-1923. Ishte kryetar i komunës së Gojbulës, ishte njeri mjaft i ngritur nga dija dhe mjaft i zoti. Prandaj, duke e kuptuar rrezikun nga ai, Serbia paguan shumë para për vrasjen e Bellës dhe kjo ndodhi në vitin 1923. Pas vrasjes së Bellës, familja e tij, përkatësisht e shoqja Elifja, së bashku me djemtë e saj, Jakupin dhe Ajetin, emigron në Bufazi të Fierit. Për emigrimin e familjes Bajqinovci në Shqipëri janë konsultuar në fillim me Azem Bejtën, me kushërinjtë Shytin, Hamitin dhe Halitin, të cilët luftonin në fshatrat e Drenicës krah për krah me Azem Bejtën.[30] Pas largimit të familjes Bajqinovci për në Shqipëri, bashkë me këtë familje kaloi në Shqipëri edhe Shote Galica, e shoqja e Azem Galicës, e cila 3 muaj ka jetuar me familjen Bajqinovci. Sot një pjesë jeton në Majas, një pjesë e familjes Bajqinovci jeton në Prishtinë në Kodrën e Trimave, kurse pjesa tjetër në Bufazi dhe Seman të qytetit të Fierit. Nga të dhënat e sipërcekura del se familja Bajqinovci ishte ndër familjet që bëri rezistencë heroike ndaj pushtuesve, sepse, luftërat e saj ishin përmes tre shekujve, që nga Perandoria Osmane dhe deri në luftërat e kohërave moderne kundër pushtuesve serbosllavë, apo më mirë të themi në luftën e fundit shqiptaro-serbe e vitit 1998-1999.

Së këndejmi, është obligim i të gjithë neve për zbardhjen në menyrë shkencore dhe objektive të këtij krimi monstruoz ndaj familjes Bajçinovci