Lajme

Erion Veliaj: Ata që bënë realitet përpjekjet për liri do dalin ballëlartë

11/22/2020 12:59
nga:A. R.

“Liria ka emër, UÇK” është një ndër nismat e nisur së fundmi në mbështetje të ish-përfaqësuesve të UÇK që janë thirrur në Hagë.

Kësaj nisme i është bashkuar edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili ka pritur në zyrën e tij, bashkë me Pandeli Majkon, disa prej organizatorëve të saj, si deputeten e PDK-së, Eliza Hoxha dhe regjisoren Burbuqe Berisha.

Veliaj thekson se gjykimi i udhëheqësve të UÇK-së është rast i paprecedent, dhe një proces nga i cili do të dalin ballëlartë të gjithë ata që bënë realitet përpjekjet për liri.

“Me shoqen time të mirë Eliza Hoxha, regjisoren Burbuqe Berisha, e Pandi Majko, i cili qëndroi pranë Kosovës gjatë kohërave të vështira, kur ai ishte kryeministër i Shqipërisë. Liria e pavarësia ishin ideali i vetëm i luftës së pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjykimi i udhëheqësve të UÇK-së është rast i paprecedent, dhe një proces nga i cili do të dalin ballëlartë të gjithë ata që bënë realitet përpjekjet për liri. #LIRIAKAEMËR e ky emër është gravurë në gjakun e mijëra të rënëve për liri e të gjallëve që e çuan në vend amanetin”, shkruan Veliaj.

Në një kohë që drejtuesit e luftës së UÇK-së po përballen në Hagë, në Shqipëri dhe në Kosovë po dalin fakte të reja, të cilat implikojnë kreun e PD, Basha, si pjesë e grupit hetimor të Hagës që inspektoi zonën verilindore të Shqipërisë, pas akuzave të pabaza të Dick Marty dhe Carla del Ponte për krimet e luftës së UÇK-së kundër Serbisë dhe për akuzat e gritura ndaj tyre me të ashtuquajturën Shtëpi të Verdhë në Gurrë të Matit.

Basha rezulton se ka qenë pjesë e grupit që ndërtoi dosjen për Fatmir Limajn, për Haradin Balën dhe Isak Musliun! Përkthimet për pjesëtarët e kësaj zyre kanë nisur nga hetimet e Fatmir Limajt e deri tek “Shtëpia e Verdhë” në Kukës. Antropologu peruan Jose Pablo Baraybar, që ka qenë pjesë e ekipeve hetimore, është shprehur publikisht se Basha ka qenë përkthyes gjatë hetimit të çështjes së “Shtëpisë së Verdhë”, që ka rezultuar në deklaratat famëkeqe të ish-kryeprokurores Carla Del Pontes dhe tek raporti i Dick Marty’t.

Gjithashtu, Milaim Bellanica që filmoi 22 vite më parë masakrën e serbëve mbi civilët në Krushë të Madhe, ka deklaruar publikisht se kasetën-provë ia ka dorëzuar Lulzim Bashës, që punonte asokohe në UNMIK të Kosovës.