Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, ish-ministri i jashtëm, Enver Hoxhaj, ka prezantuar një nga prioritetet kryesore të programit të partisë, duke premtuar rritje të pensioneve për të gjitha kategoritë e luftës, përfshirë veteranët, invalidët dhe familjet e dëshmorëve.
“PDK do të rrisë për 50% pensionet për të gjitha kategoritë e luftës. Veteranët e luftës do të kenë të drejtën të punojnë pa iu ndaluar pensioni i veteranit, dhe kjo do të rregullohet përmes ndryshimit të ligjit,” theksoi Hoxhaj gjatë shpalosjes së programit.
Ai shtoi se vetëm Partia Demokratike e Kosovës i nderon dhe mbron me vendosmëri sakrificat e luftëtarëve të lirisë dhe familjeve të tyre.
Hoxhaj ka theksuar gjithashtu në një postim në rrjetet sociale: “PDK do të rrisë pensionet për kategoritë e luftës dhe garanton të drejtën e punës për veteranët pa humbur pensionin.”
Ky angazhim i PDK-së synon të përmirësojë mirëqenien e kategorive të luftës dhe të sigurojë mbështetje të vazhdueshme për ata që kanë sakrifikuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.