Lajme

Ende nuk ka datë për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Podujevë

05/17/2020 20:36
nga:Norë Kelmendi

Janë bërë dy muaj që prej kur është dashur të mbaheshin zgjedhjet në Komunën e Podujevës. Një ditë para se qytetarët t’iu drejtoheshin kutive të votimit për të zgjedhur të parin e Komunës, ato u anuluan shkaku i situatës me pandeminë COVID-19.

Në kohën kur në gjithë komunat janë duke u lehtësuar masat kufizuese, kandidatët për kryetar të Podujevës, shpresojnë që zgjedhjet në këtë komunë të mbahen sa më shpejt.

Kandidati i LDK-së në Podujevë, njëherësh edhe ushtrues detyre i kryetarit të Komunës, Nexhmi Rudari, thotë se janë të gatshëm për zgjedhjet kurdo që ato mbahen, raporton KOHA.

Kandidati për kryetar të Podujevës nga radhët e Vetëvendosjes, Shpejtim Bulliqi, thotë se qershori është një ndër mundësitë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale.

Të gatshëm për zgjedhjet në Podujevë janë edhe nga PDK-ja.

“Siç e dini një ditë para se të mbaheshin zgjedhjet është vendosur që ato të shtyhen. Ne iu kemi përmbajtur rregullave dhe vazhdojmë që t’iu përmbahemi. Në momentin që krijohen kushtet, jemi të gatshëm që kurdo që caktohen zgjedhjet të garojmë dhe të kryesojmë punën tonë. Situata me pandeminë është duke u përmirësuar dhe shumë shpejt besojmë që do të mbahen edhe zgjedhjet. Sa i përket menaxhimit të Komunës me pandeminë, ne kemi dhënë në vazhdimësi vlerësimet tona. Kemi dhënë edhe propozimet për mbështetjen e qytetarëve, jemi munduar që të japim kontributin tonë. Në Podujevë ka munguar transparenca për ndarjen e fondeve për qytetarët, mendojmë që nuk ka qenë një menaxhim i pandemisë në komunën tonë ashtu siç e meritojnë qytetarët tanë”, ka thënë në një përgjigje kandidati i PDK-së për kryetar të Podujevës, Naim Fetahu.

Në anën tjetër, nga Komisioni Qendror Zgjedhor thonë se vlerësimin e situatës me pandeminë e bëjnë institucionet e tjera. Sipas zëdhënësit Valmir Elezi, KQZ-ja do t’i përmbushë detyrat e saj për organizimin e zgjedhjeve kurdo që i kërkohet.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është institucion i përhershëm kushtetues që detyrë kryesore ka organizimin e zgjedhjeve kurdo që i kërkohet. Sikurse në të kaluarën, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’i përmbushë detyrat e veta kushtetuese dhe ligjore. Ndërkaq, lidhur me situatën specifike në të cilën ndodhemi për shkak të pandemisë, ne nuk mund të japim një përgjigje për aspektet që kanë të bëjnë me shëndetin e qytetarëve pasi janë institucionet e tjera përkatëse dhe profesionale që e kanë fushë të përgjegjësisë së tyre”, ka thënë ai.

KOHA, lidhur me mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve në Podujevë, ka provuar të marrë qëndrim edhe nga drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, por gjatë ditës nuk ka qenë i qasshëm. Pyetje për këtë çështje ka drejtuar edhe në Zyrën e Presidentit tash e 13 ditë nuk ka marrë përgjigje.

Lidhur me zgjedhjet në Podujevë, qytetarët kanë mendime të ndryshme.

Zgjedhjet në Podujevë ishin planifikuar të mbaheshin më 15 mars, pasi kryetari i deriatëhershëm, Agim Veliu, ishte bërë pjesë e kabinetit të Qeverisë Kurti.

06/07/2020 12:11

Veliu e Rakiq lënë komunat e tyre pa kryetarë, presidenti ende nuk ka vendosur për datën zgjedhjeve!