Lajme

Emërohen anëtarët e Bordit të Agjencisë së Akreditimit!

04/03/2018 20:46
nga:Gazeta Blic

Është emëruar Bordi i Agjencisë Kosovare të Akreditimit.

Kështu i ka thënë “Gazetës Blic”, një burim i afërt me MASHT.

“Sot ministri Shyqyri Bytyqi ka emëruar Bordin e Agjencisë Kosovare të Akreditimit”, i tha ky burim Gazetës Blic.

Në anën tjetër,“Gazeta Blic”, ka kontaktuar edhe me këshilltarin e Ministrit të Arsimit, Valmir Gashi i cili ka pohuar se ministri ka emëruar sot anëtarët e këtij bordi.

Ai madje ka thënë se në njërën nga mbledhjet e qeverisë pritet të diskutohet për këtë çështje.

“Po është e vërtetë sot i ka emëruar ministri dhe besoj që shumë shpejt do të flitet në njërën prej mbledhjeve të Qeverisë qendrore”, ka thënë këshilltari i Ministrit, Shyqyri Bytyqit, Valmir Gashi.

“Gazeta Blic”, e ka pyetur Gashin edhe për emrat e anëtarëve se kush janë të emëruarit, por ai ka hezituar të flasë me emra.

Duhet theksuar se me ardhjen në krye të Qeverisë Haradinaj, kryeministrit kishte kërkuar nga vartësi i tij në Ministrinë e Arsimit që të shkarkojë Bordin e Agjencisë së Akreditimit.

Kërkesa e Haradinajt përmbante shkarkimin e menjëhershëm të Bordit të Agjencisë së Akreditimit, i cili funksionon në kuadër të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, duke përfshirë këtu edhe ushtruesin e detyrës së drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

Po ashtu, Haradinaj kishte kërkuar nga ministri i Arsimit, Shyqri Bytyqi, që menjëherë të nisin procedurat për përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të kësaj Agjencie.
Deri te ky vendim, sipas kërkesës së Zyrës së Kryeministrit për Ministrinë e Arsimit, ka ardhur duke parë se procesi i akreditimit deri më tash është zhvilluar me parregullsi serioze duke u shndërruar në objekt të shpeshtë të diskutimit publik. /GazetaBlic 

 

11/04/2019 15:50

Studentët e Fakultetit të Edukimit paralajmërojnë protesta para MASHT dhe Rektoratit të UP