Lajme

Emërimi i drejtorit të Agjencisë së Akreditimit i bllokuar tash e 1 vit

10/31/2019 08:18
nga:B. D

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë tash e një vit e ka bllokuar emërimin e drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA). Më 25 tetor të vitit 2018, Ministria e Administratës Publike (MAP) e ka publikuar listën me 3 emrat që kanë fituar pikë më së shumti, por që emërimi i kësaj pozite nuk është bërë.

Sekretari në Ministrinë e Administratës Publike (MAP), Artan Berisha, ka thënë se me rregullativën e vjetër nuk ka pasur afat kohor brenda të cilit ministri është obliguar të përgjigjet për rekomandimin e njërit nga tre kandidatët e përzgjedhur nga Komisioni për Vlerësimin e Kritereve. Por, sipas tij, me Ligjin për zyrtarët publikë, që ka hyrë në fuqi në shtator, nëse brenda 10 ditëve nuk përgjigjet mbikëqyrësi i drejtpërdrejtë i pozitës në fjalë, kandidati që ka fituar më së shumti pikë konsiderohet i përzgjedhur, shkruan sot “Koha Ditore”.

“MAP-i ka përfunduar procedurën e rekrutimit për pozitën drejtor në Agjencinë e Kosovës për Akreditim në kuadër të MASHT-it. Pas publikimit të listës me tre kandidatët më të mirë, të vlerësuar nga Komisioni për Vlerësimin e Kritereve, MAP-i ka dërguar te ministri i MASHT-it emrat e tre kandidatëve më të mirë, për rekomandimin e njërit prej tyre, me qëllim të procedimit për emërim në Qeveri, por nuk ka pranuar asnjë përgjigje nga ministri i MASHT-it. Po ashtu, nuk kemi pranuar asnjë shkresë nga ministri i MASHT-it për rishpalljen e kësaj pozite”, ka theksuar ai.

Gazeta ka kërkuar përgjigje nga ministri në largim i MASHT-it, Shyqiri Bytyqi, se përse është zvarritur emërimi e drejtorit të AKA-së, por nuk ka marrë përgjigje.

11/04/2019 15:50

Studentët e Fakultetit të Edukimit paralajmërojnë protesta para MASHT dhe Rektoratit të UP