Lajme

‘Emërimi i Begollit në Telekom, i kryen favor krimit të organizuar’

06/22/2018 19:30
nga:A. R.

Emërimi i Gent Begollit të AAK-së,  në postin e kryeshefit ekzekutiv në Telekomit, dëshmon që Ramush Haradinaj, ka pasur për qëllim të vijë në postin e kryeministrit, vetëm për ta ndihmuar kapjen e shtetit.

Kështu të paktën po vlerëson deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, sipas të cilës Haradinaj u bë kryeministër për vete dhe jo për qytetarët.

“Tani po e kuptoj zellin e madh të Haradinajt për t’u bërë kryeministër. Ky nuk e paska pasur për shtetin e qytetarët por për vete! Prej rritjes së pagave kundërligjshëm e deri tek kapja e secilit bord e agjension e tani edhe Telekomin”, është shprehur deputetja Haxhiu.

Sipas Haxhiut Gent Begolli  është person jokompetent për të udhëhequr me Telekomin e Kosovës.

‘Zgjedhja e një personi jokompetent siç është Gent Begolli në pozitën e kryeshefit ekzekutiv të Telekomit, është dëshmia e qartë se Haradinaj nuk e ka në mendje t’a ndërpres kapjen e shtetit. Përkundrazi po e bën edhe më keq pasi që këto veprime e kanë sjellur Kosovën në një gjendje të rënduar. Kjo mendësi e mbrapsht dhe e dëmshme shpreh hapur përpjekjen për të pasur në kontroll gjithçka dhe për të përfituar pastaj kundërligjshëm”, ka thënë Haxhiu për Gazetën Blic.

Madje, ajo thotë se zgjedhja e Begollit, është emërim që i kryen favor krimit të organizuar.

Albulena Haxhiu (VV)

Po ashtu Haxhiu shton se gjendja në Telekom është e mjerueshme, për vetë faktin, që sipas saj në udhëheqje të tij kanë qenë njerëz të afërm me politikën, dhe që kanë nënshkruar kontrata të dëmshme dhe të lidhura me krimin e organizuar

“Qasja e tillë e mbrapsht, ku në ndërrmarjet më të rëndësishme dërgohen njerëz jokompetent është në fakt arsyeja se pse Telekomi është në gjendje buzë greminës pikërisht për shkak të lidhjes së kontratave të dëmshme nga krimi i organizuar për përfitime të paligjshme dhe në dëm të vendit e pasurisë publike. Telekomi është në gjendje të rëndë dhe për t’u rimëkëmbur duhen njerëz profesionistë, të ndershëm e të shkëlqyer dhe jo të tillë që i kryejnë favore krimit të organizuar”, ka përfunduar Haxhiu.

Gent Begolli është emëruar sot nga qeveria e Kosovës, në postin e kryeshefit të Telekomit.

Ai ka qenë drejtor i shërbimeve publike në qeverisjen e kaluar në Prishtinë nga radhët e Aleancës për Ardhmërin e Kosovës.

Begolli ishte bartës i listës së AAK-së në zgjedhjet lokale për Komunën e Prishtinës/Gazeta Blic/

10/13/2019 22:56

E thotë Agim Veliu: Do të jetë e vështirë arritja e marrëveshjes me Lëvizjen Vetëvendosje, për bashkëqeverisje