Lajme

Elshani: Ministri Vitia rrezikoi qytetarët e Podujevës

03/16/2020 19:19
nga:E Sh

Anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së, Arianit Elshani, ka bërë përgjegjës ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili sipas tij nuk i dha asnjë rekomandim KQZ-së për hapat që duhet të ndjeknin për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë.

Elshani ka shkruar në faqen e tij në Facebook se Qeveria Kurti dhe ministri i Shëndetësisë Arben Vitia kishin lejuar mbajtjen e zgjedhjeve në Podujevë duke rekomanduar vetëm disa masa shtesë, për çka sipas Elshanit ata duhet të mbajnë përgjegjësi, ku tashmë dihet se shumë qytetarë nga Italia kishin ardhur në Kosovë dhe tani po rezultojnë të infektuar me coronavirus.

Deklarat e plotë e Arianit Elshanit:

Ka disa javë që në Kosovë jemi informuar nga burimet joqeveritare lidhur me virusin COVID-19 dhe gjendjen e krijuar në Azi e Evropë. Kontributi i tillë është i mirëseardhur, por asgjë nuk zëvendëson institucionet e shtetit, që duhet të jenë lidere në situata të jashtëzakonshme.

Megjithatë, Qeveria e Kosovës dhe Ministri Vitia vazhduan të qëndronin indiferente karshi coronavirusit dhe nuk kryen detyrat e veta me kohë. Apatia qeveritare ndaj virusit që po rrezikon shumë shtete e popullsi u thye vetëm pasi OBSH-ja e shpalli Covid19 pandemi.

Më 7 Shkurt 2020 ishte caktuar data e zgjedhjeve në Podujevë, ndërkohë shumë bashkëatdhetarë tanë vazhduan hyrje-daljet në Kosovë. Disa prej tyre patën destinacion edhe Podujevën. Ndërkohë as Ministri Vitia e as ndonjë sektor tjetër qeveritar nuk morën asnjë masë parandaluese për identifikim e testim.

Si KQZ kemi kërkuar për rekomandime mbi zgjedhjet që u planifikuan të mbahen dje në Podujevë. Rekomandimi erdhi tri ditë para mbajtjes së zgjedhjeve. Në një situatë të jashtëzakonshme botërore, Ministria e z.Vitia rekomandoi që zgjedhjet në Podujevë të mbahen me disa elemente shtesë sigurie.

Në kohën kur kërkohet mobilizim institucional për të penguar përhapjen e madhe të virusit, Qeveria Kurti gjeti komoditetin të jep dritën jeshile për zgjedhjet të cilat ekspozojnë dhjetëra e mijëra qytetarë kundrejt këtij virusi. Në një kohë kur karantina duhet të jetë praktika më e përdorur, Qeveria Kurti bën politika që krijojnë kushte për shpërndarje të virusit tek njerëzit.

Sa për ilustrim, nga data 27 shkurti në Kosovë kanë hyrë 487 persona nga Italia (disa prej tyre në Podujevë). E paalarmuar nga situata kritike edhe të shtunën në mesditë vazhdoi ideja për mbajtje të zgjedhjeve në Podujevë, pavarësisht rrezikut që pasojat e zgjedhjeve mund të ishin të mëdha për përhapjen e virusit.

Fatmirësisht, presioni medial dhe paniku qytetar e nxorën Qeverinë Kurti nga gjumi i thellë i moskokëçarjes dhe në ora 15:57 të 14 Marsit, pasi ishin identifikuar të prekurit e parë nga virusi erdhi rekomandimi tjetër, ku Minsitria e Shëndetësisë kërkon pezullim të zgjedhjeve.

Fatmirësisht Presidenti pezulloi zgjedhjet, por janë mbajtur shumë tubime të fushatës në Podujevë, ku morën pjesë mijëra qytetarë. Këto mbledhi do të mund të ndaleshin me kohë sikur ta kishim një qeveri që të vetëdijshme mbi rolin dhe përgjegjësinë që ka.

Mirëpo qytetarët duhet ta dinë se nga vonesat në reagim, nga neglizhenca, nga paaftësia e Qeverisë Kurti për t’u orientuar vetë dhe nga frika për të marrë lidership në kohë krizash, virusi duket se ka prekur edhe qytetarët e Podujevës që morën pjesë në fushatë.

Tash çdo veprim është veprim mbi pasojat, mbi neglizhencën e deritashme ndaj masave parandaluese, storia e Podujevës, është shembulli konkret i papërgjegjësisë institucionale të Qeverisë Kurti ndaj virusit COVID19.

Nuk është çështje opozitë-pozitë, por përgjegjësi për transparencë.

06/03/2020 20:09

I infektuari me COVID-19 nga Obiliqi, punëtor i KEK-ut