Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku thotë se nuk është për t’u habitur asnjë veprim dhe asnjë deklaratë e Beogradit, raporton GazetaBlic.
Çitaku përmes një shkrimi në “Facebook”, ka folur edhe për kohën kur ishte ministre e Punëve të Jashtme, teksa thotë se eksponentët e Beogradit “veç alien nuk më patën bërë”.
“Nga përvoja, gjithmonë duhet marrë me rezervë deklaratat nga Beogradi. Në raport me Kosovën ata vazhdimisht synojnë të krijojnë mjegull dhe huti. Çka thonë eksponentët në Beograd nuk e trajtoj kurrë si të mirëqenë. E di çka kanë thanë për mua dhjetëra herë. Vec alien nuk më patën bërë”, shkroi ajo.
Krahas kësaj, Çitaku thotë se është shqetësuese heshtja e MPJ-së për deklaratat e fundit nga Serbia.
“Mirëpo ajo që më shqetëson është heshtja e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Sigurisht unë e kuptoj natyrën e punës dhe diskrecionin që ndonjëherë ta imponon diplomacia. Po një përgjigje duhet dhënë”, përfundon Çitaku.


