Sporti

Ekskluzive: Shefki Kuqi tregon se si i kërkuan para për ta veshur fanellën e Shqipërisë

12/07/2017 17:48
nga:Y.K

Festonte golat në mënyrën më unike që kemi parë, është shqiptari i pari i cili ka shkelur në Ligën më të fortë në botë e kush mund të jetë tjetër përveç ish sulmuesit të lindur në Vushtrri, Shefki Kuqi.

Gazeta Blic, ka realizuar një intervistë me kosovarin i cili ndër tjera ka akuzuar federatën e futbollit të Shqipërisë që sipas tij i kërkoi para për të qenë pjesë e tyre, po ashtu ai tregoi se çfarë ndjesie është për të luajtur në Angli.

Gazeta Blic: Jeni shqiptari i parë që keni luajtur në Premierligën angleze, si ndiheni për këtë të arritur ?

Shefki Kuqi: Pa dyshim kënaqësi e madhe, kur e kam përfunduar karrierën e kam parë çfarë arritje ka qenë, ndihem më shumë krenar se si shqiptar kam lënë përshtypje shumë pozitive dhe kjo ndoshta i’a ka hapur rrugën edhe të tjerëve.

Gazeta Blic: Cili klub për ty mendon që ishte kulmi i karrierës në Angli ?

Shefki Kuqi: Mua më ndihmoi shumë Stockport County, ky ishte klubi im i parë dhe kam një respekt të madh për atë klub, edhe tek Ipswich Town kalova mirë. Tek Blackburn shënova 7 gola deri në janar, në janar klubi e transferoi Sinama Pongolle nga Liverpool, dhe që nga ai moment kisha probleme, sepse klubi ndoshta që e bleu nga një klub i madh i besonte shumë, arritje është Newcastel United, por pengu më i madh në karrierë ndoshta ishte që nuk shënova gol për atë klub”.

Shefki Kuqi duke i festuar golat në mënyrën e tij unike

 

Gazeta Blic: Gjatë kohës sa keni luajtur në Angli cili klub i madh të ka kërkuar tjetër në ishull ?

Shefki Kuqi: Evertoni edhe Manchester City me kërkuan sa isha tek Blackburn Rovers, por nuk u realizua kurrë ai transfer.

Gazeta Blic: Pse ?

Shefki Kuqi: Ishin disa probleme dhe kështu më vonë ika tek Crystal Palace.

Gazeta Blic: Keni luajtur për 11 vite për kombëtaren finlandeze duke shënuar 8 gola në 62 paraqitje, atë ka ndihmuar në karrierë angazhimi në kombëtaren e Finlandës ?

Shefki Kuqi: Po më ka ndihmuar shumë, bazë lojërave të mira në kombëtare më ka ndihmuar që me u transferua në Angli, por nuk mu ka dhënë rasti me tregu maksimumin, shumicën e kohës kam qenë në stol. Ka qene një kombëtare e fortë në atë kohë. Ndoshta që isha i vetmi i huaji aty prandaj nuk kisha hapësirën e mjaftueshme, por me ka ndihmuar si përfundim kombëtarja e Finlandës.

Shefki Kuqi me fanellën e Finlandës

 

Gazeta Blic: Po pse shkuat tek Finlanda, pse nuk e veshe fanellën e Kombëtares shqiptare ?

Shefki Kuqi:  Iu afrova vet Shqipërisë me refuzuan menjëherë!

Gazeta Blic: Pse ?

Shefki Kuqi: Me kërkuan para për ta veshur fanellën e kombëtares, e dëshiroja shumë që një ditë të luaja për ngjyrat “Kuq e Zi” por ishte e pamundur.

Gazeta Blic: Kush të kërkoi para ?

Shefki Kuqi: Me kërkuan ata që ishin pjesë e Federatës në atë kohë!

Gazeta Blic: E ndjekni  tani Kombëtaren shqiptare dhe çfarë mendoni për të.

Shefki Kuqi: Kombëtarja është përmirësuar shumë, De Biasi e kthjelli Shqipërinë, disiplina e tij e ndryshoi për të mirë, gëzohem shumë që ka ndryshuar mentaliteti në Shqipëri tani.

Gazeta Blic: Po ndeshjet e përfaqësueses së Kosovës i keni parë, lojërat, dhe ku janë pikat e forta dhe të dobëta të saj ?

Shefki Kuqi: Kosova ka shumë talente, ka një skuadër ku pika më e fortë janë lojtarët që luajnë në anën ofensive, pika më e dobët deri tani ishte menaxhimi. Shpresoj që ta gjejnë një trajner i cili e njeh mentalitetin e lojtarëve kosovar, dhe te menaxhohet më mirë reprezentacioni.

Gazeta Blic: Ju e keni provuar vetën tek disa klube në Finlandë, tani nuk jeni i angazhuar askund, pse ?

Shefki Kuqi: Tek Honka klubi bankrotoi, dështoi sektori i financave, madje shumë herë i kam paguar edhe shujtat lojtarëve sepse për paga as nuk bëhej fjalë. Tek Vanta ishte i njëjti problem, aty madje kam qenë i angazhuar vetë për të gjetur sponsor, klubin e futa nga Liga e parë në Super-ligë dhe më pas u largova, nuk munda t`i bëja dy punë.

Gazeta Blic: Po Inter Turku nuk kishte këto probleme, çfarë ndodhi, pse u largove ?

Shefki Kuqi: Tek Inter Turku që nga dita e parë kisha probleme me drejtorin sportiv, ai dëshironte që të bëhej ndihmës i imi unë nuk e pranova, dhe si mund të qëndrosh në një klub ku me drejtorin e klubit nuk i ke punët mirë!

 

Shefki Kuqi si trajner

Gazeta Blic: Pra të shkarkuan ?

Shefki Kuqi: U largova pasi ishte e pamundur të punoja aty, me një fjalë futbolli finlandez si trajner me ka lënë një shije jo të mirë, dhe nuk dua që të kthehem aty një ditë.

Gazeta Blic: Ku do ta shohim Shefki Kuqin pas janarit ?

Shefki Kuqi: Jam duke pushuar për momentin nuk e di akoma se ku do të shkoj

Gazeta Blic: Po të erdhi ndonjë ofertë nga klubet e kampionatit shqiptar apo të Kosovës a do të pranoje ?

Shefki Kuqi: Liga e Shqipërisë ka ecur mirë, e pash derbin Skënderbeu – Partizani i Tiranës, aty e pash që kampionati i Shqipërisë ka përparuar, në Kosovës liga është shumë e dobët për momentin.

Gazeta Blic: Pra do të pranoje një ofertë nga superiorja e Shqipërisë ?

Shefki Kuqi: Jo nuk thash, por si ligë është cilësore, më e fortë se ajo e Finlandës.

Gazeta Blic: Të la përshtypje ndonjë lojtarë në atë ndeshje ?

Shefki Kuqi: Enis Gavazaj ishte një lojtar shumë i mirë, nëse punon ai do të arrit shumë, sinqerisht më pëlqeu.

Gazeta Blic: Keni luajtur shumë në Angli, çfarë mendoni për trajnerët që janë aty tani ?

Shefki Kuqi: Arsen Wenger e ka ndryshuar komplet filozofinë e futbollit në Angli, para se të vinte aty luhej me topa të gjatë, Wenger ka ndryshuar çdo gjë, nga ushqimi e deri tek loja me topa për tokë. Jurgen Klopp e ka krijuar një skuadër super sulmuese, e cila për mendimin tim është më e mira në Angli këtë aspekt, por çuditem pse nuk investon në mbrojtje. Guardiola është super trajner e kemi parë se si e ka ndryshuar Manchester Cityn.

Gazeta Blic: Por nga trajnerët jashtë Anglisë cili te ka bërë për veti ?

Shefki Kuqi: Pa dyshim Zinedine Zidane, për mua është trajneri që ka arritur diçka që nuk e ka arritur askush tek Real Madridin, thjesht është e pa mundshme për tu arritur atë që e ka bërë Zidane tek klubi spanjoll.

 

Gazeta Blic: Cili është klubi për të cilin bënë tifo Shefki Kuqi ?

Shefki Kuqi: Nuk e kam përmendur as edhe njëherë, por po e zbuloi, është Manchester United, e gjithë kjo sepse isha një tifoz i Sir Alex Ferguson. Por në Itali psh me pëlqen Milan.

 

 

 

12/12/2017 23:27

Befason Burnley, në top-katërshe të Premier Ligës