Lajme

Ekskluzive: Këta tre kryetarë degësh dalin kategorikisht kundër Agim Veliut: Veç ky person të jetë kryetar i LDK-së

08/02/2019 18:38
nga:A. R.

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ai i Lipjanit, Imri Ahmeti dhe kryetari i degës së LDK-së në Ferizaj, Muharrem Svarqa, kanë dalur kategorikisht kundër kandidaturës së Agim Veliut, për t’u zgjedhur kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Burime të Gazeta Blic, brenda takimeve të kryesisë të mbajtura gjatë ditës së djeshme dhe sotme, bëjnë të ditur se të tre kryetarër e degëve, ia kanë bërë qartë në katër sy, Agim Veliut, se ata së bashku me të gjithë delegatët e degëve të tyre (Pejës, Lipjanit dhe Ferizajt), do të votojnë kundër kandidaturës së Agim Veliut, edhe nëse kryetarët e degëve tjera do të arrijnë marrëveshje për ta votuar Veliun si kryetar i partisë.

Madje, më i ashpëri kundër Agim Veliut, kishte qenë kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, i cili ka diskutuar me tone të larta brenda takimit të kryesisë.

Sipas burimeve të Gazeta Blic, Muhaxheri, Ahmeti dhe Svarqa, kanë kërkuar që të arrihet marrëveshje për rizgjedhjen e Isa Mustafës, në krye të LDK-së.

Ata kanë thënë brenda takimit, se Mustafa, është kandidatura e duhur në këtë fazë që do të mund ta mbante të unifikuar spektrin udhëheq të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Gazmend Muhaxheri, Imri Ahmeti dhe Muharrem Svarqa, hapur në mbledhjet e kryesisë kanë thënë se janë kundër Agim Veliut. Ata para tij kanë thënë se nuk do e votojnë asnjëherë Veliun për tu zgjedhur në krye të LDK-së. Madje, Imri Ahmeti ka qenë shumë i ashpër në komunikim karshi Veliut”, i ka thënë ky burim Gazetës Blic.

Veliu ishte tentuar që sot të propozohet si kandidat konsensual, pas një takimi të mbrëmshëm mes tij Lutfi Hazirit, Lutfi Zharkut dhe Skender Hysenit.

Në anën tjetër, brenda tentativave për ta gjetur një marrëveshje brenda LDK-së për zgjedhjen e kryetarit të ri, nuk është i përfshirë ish-kryetari dhe kandidati për drejtimin e kësaj partie, Fatmir Sejdiu.

Ai sot ka dhënë kritika të ashpëra për tendencën që të gjendet një marrëveshje, duke thënë se demokratike është nëse shkohet dhe votohet lirshëm në Kuvend.

Sejdiu ka bërë të qartë se nuk e ka ndërmend që të heq dorë nga kandidatura e tij.

“I pashë raportimet në media. Jo, unë nuk jam pjesë e këtij konsensusi të përfolur. Qëndrimet e mia lidhur me kandidaturën time i kam shprehur edhe publikisht dhe për këtë e kam njoftuar edhe kryetarin actual të LDK-së z.Mustafa në takimin e djeshëm dhe kryesinë qendrore nëpërmes tij. Është e ditur që delegatët e Kuvendit si organi më i lartë i LDK-së, duhet të zgjedhin kryetarin e LDK-së, në mënyrë të lirë dhe demokratike dhe këtij organi nuk do të duhej t’i servohet e as imponohet asnjë kandidaturë”, tha Sejdiu.

LDK nesër do të mbajë Kuvendin Zgjedhor, ku pritet të zgjidhet kryetari i partisë dhe Këshilli i Përgjithshëm.

Deri më tani përveç Fatmir Sejdiut dhe Agim Veliut, janë përmendur edhe kandidaturat e Isa Mustafës, Lutfi Hazirit, Vjosa Osmanit dhe Gazmend Muhaxherit.

Kuvendi pritet të fillojë në ora 10:00.

@Gazeta Blic