Sporti

Ekskluzive, flet Jaleel Nelson: Dua të rikthehem tek Trepça, isha i bekuar të luaj në Kosovë

04/07/2020 21:18
nga:Mergim Rreci

Jaleel Nelson është një prej basketbollistëve më të mirë që ka luajtur në basketbollin kosovar.

Fundori amerikan, ka shkëlqyer me paraqitjet e tij dhe si rezultat ka arritur që të fitoj edhe disa trofe në Kosovë.

Nelson ka luajtur për dy skuadrat kosovare, Trepçën dhe Pejën, mirëpo sukseset e mëdha pa dyshim që i kishte tek “Minatorët”.

Sezoni 2011/2012 ishte fantastik për të dhe skuadrën nga Mitrovica, vit kur fituan titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës në basketboll.

Basketbollisti amerikan ka dhënë një intervistë ekskluzive për GazetaBlic, disa vite pas largimit nga Superliga e Kosovës.

Fillimisht ai ka deklaruar që është i bekuar dhe i lumtur për paraqitjen e tij të parë  profesionale jashtë vendit pikërisht në Kosovë, sidomos për faktin që konsiderohet si njëri ndër basketbollistët më të mirë që ka luajtur në vendin tonë.

“Për mua që të vlerësohem si një nga më të mirët është një nder i madh. Koha ime në Kosovë ishte një përvojë e mirë mësimi për mua. Ishte viti im i parë si lojtar profesionist dhe isha vetëm një 23 vjeçare që ishte larg familjes së tij.  Për fat të mirë, unë u bekova që kisha disa shokë të shkëlqyer të ekipit, trajner dhe një skuadër të tillë bsaketbolli si Trepça. Të gjithë me të cilët flas edhe sot”, deklaroi fillimisht Jalel Nelson për GazetaBlic.

Jaleel Nelson më pas thuri lavde dhe falënderime të veçanta për tifo-grupin nga Mitrovica, “Torcida”.

Ai tha se pikërisht ata ishin motivi kryesor që ai së bashku me Trepçën fituan titullin në vitin 2012. Ai ndau një moment të veçantë nga finalet e asaj kohe të cilat i zhvilluan ndaj Sigal Prishtinës.

“I dua shumë “Torcidën”. Ata janë arsyeja e vërtetë që ne fituam Kupën dhe Kampionatin në vitin 2012! Pasioni dhe besimi i tyre tek ne bënë që gjithçka të ndodhte. Ne donim të fitonim për ta. Mbaj mend kur ishim në disavantazh të finaleve me rezultat 2 me 1 kundër Prishtinës, dhe luanim lojën e 4-të në shtëpi. “Torcida” ishin duke brohoritur dhe duke përgatitur tërë ekipin tonë për atë lojë. Do t’i dua përgjithmonë Torcidën”, vazhdoi me deklarimin e tij, Nelson.

I pyetur se a është aktiv ende me basketboll, ai tregoi që po luan në ABA League në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por tregoi edhe njëherë ndjenjat e tij të forta për skuadrën nga Mitrovica, ku tha se dëshiron një rikthim tjetër tek Trepça për ta fituar një titull të dytë kampioni.

“Po, unë jam akoma aktiv duke luajtur basketboll. Po luaj këtu në ABA League. Kemi një ekip solid këtu. Por unë do të doja shumë të kthehesha në Kosovë dhe të fitoja një kampionat tjetër me Trepçën. Kjo do të ishte e mrekullueshme” tha me tutje Nelson për GazetaBlic.

 

“Përvoja ime me Trepçën është padyshim e veçantë. Nuk mund ta vë në fjalë përvojën time atje. Edhe me largimin nga familja për kaq kohë, njerëzit e Trepçës më morën dhe me familjarizuan dhe kjo më bënte të mendoja që e tërë bota ishte e imja. Ne ishim të plotë dhe ishim së bashku si një familje e vërtetë” përfundoi me deklarimin e tij Nelson.

Kujtojmë që përveç Trepçës, Nelson kishte arritur që ta fitonte Kupën e Kosovës në vitin 2015 me skuadrën e Pejës, atje ku atë vit skuadra nga Dukagjini e mposhti Yllin në gjysmëfinale dhe Prishtinën në finale, falë paraqitjeve fantastike të Jaleel Nelson.

 

/GazetaBlic/