Opinion

Edukimi dhe e sotshmja, e zotshmja

11/15/2018 09:41
nga:Nirvin Hoxha

Më në fund iu kthye borxhi Ilir Shaqirit i cili gjatë luftës çirrej “Evropë kthema Borxhin”. Presidenti rus Vladimir Putin u takua me presidentin kushtetutar të shtetit të Kosovës.

Fjala pranim në Kosovë është shndërruar në diçka krejtësisht pragmatike dhe aq më shumë fjalë fajdenxhinjësh: ose lidhet me pranimin e shtetësisë së Kosovës ose me lejimin e vizave për në Bashkim Evropian. Fjala pranim ka histori tejet të dhembshme dhe të rëndësishme universale:

1. Në besimin Buddhist ajo është maja më e lartë e arritjes. Është momenti kur njeriu pranon pikërisht në Nirvanën dhe Dharmën e përkryer se nuk është i përkryer dhe se kjo, pikërisht prej momentit të arritjes së pranimit kërkon ndërtimin më të thellë dhe më të mundimshëm të po të njëjtit pranim.

Po e njëjta është edhe në religjionet Abrahamike, aq më shumë, që sipas përkthimeve të gjuhës arabe në gjuhën angleze, vetë fjala ‘Islam’ do të thotë pranim, bindje dhe qëndrim në këtë pranim.

Pranimi si fjalë, siç edhe çmendet filozofi Zhizhek për të treguar po të njëjtën, ka humbur vleftën në shkëmbimet ndërnjerëzore sikur edhe fjala Falemnderit.

Pikërisht fjala Pranim është ajo që ka mundësuar ecurinë e njerëzimit në takimet epokale, primordiale dhe të vështirësive biblike kur nuk ekzistonin mjete bartjeje dhe kur njerëzimi kalonte oqeane dhe kontinente për të takuar njëri tjetrin dhe për të njohur njëri tjetrin. Është pikërisht kjo që harrohet në pranimet si në minimarket të kusurit, dhe e tëra kalon në pranim krejtësisht të lehtë dhe të përsëritshëm deri në pafundësi. Por pikërisht këtu do të ju kujtoja një gjë: gravurat e profetit Muhamed në Pallatin e Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ç’mund të mendoj njeriu, se ç’ është tjetër Pranimi pos e njëjta gjë që u morr shembull.

Ajo që e ruan pranimin dhe që i jep vlerë, nuk është megalomania e arritjes dhe shpërthimit tutje, por është ajo që njihet si Absolution në besimet e njerëzimit, dhe kjo është kur lisi ndaj Siddhartas i pranon atij, figurativisht, ngadhnjimin mbi përvojën e vet personale. Apo kur Profetët, të gjithë në pranimin e besimit të tyre dhe rrugës së tyre krijuan monumente të po të njëjtave si në: xhami, kisha, sinagoga etj.

2. Pranimi i krimit si vrasja e një njeriu si Xhemal Ahmeti, apo pranimi i vetë një pjese të LDK-së të zhbërjes së një prej figurave më të mëdha që kishin shqiptarët e që ishte vetë Ibrahim Rugova i nxënë në peng terrorist-psiqik nga vetë populli. Ky Pranim nuk ndodh, nuk ndodh sepse nuk mund të ndodh as në gjyqe dhe as në tubime kolektive, sepse aty mungon ai që duhet pranuar këtë krim, dhe të dy këta shembuj janë të vdekur në mizorinë e – arritjeve – tona.

Në këto mënyra të kërkimit të asaj që u quajt Absolution, apo që i bie falje dhe përballje e atij që pranon e që është kulmi i arritjes së mundshme të besimtarit, und të ndodh vetëm një gjë dhe ai arrihet vetëm përballë hierarkisë prej ku e kërkon shpëtimin/Pranimin.

Pranimi në gjyq i krimit, pranimi në tubime kolektive kundër krimit ndaj Ibrahim Rugovës nuk mund të ndodh derisa ai që e jep faljen/absolution nuk e ka të qartë kush e kërkon, por në perspektivë tejet të rrezikshme të mosditurit pse kërkohet kjo falje, andaj kjo është problemi i Pranimit, të mos diturit pse është bërë krimi dhe tek pastaj të kuptuarit të hapit të Pranimit nga vetë krimineli. Nuk mund të ketë Falje pa Pranim, por as Pranim pa të kuptuar të fajit, aq më shumë të kaluarit nëpër të njëjtin faj, përndryshe shemben të gjitha, jo në njeriun dhe as në njerëzimin por në vuajtjen pikërisht të fajtorit i cili kërkon dalje nga faji i vet.

3. Ka një fjalë të papërsëritshme dhe as të paimitueshme, fjalë hebreje që ndërtoi njerëzimin, dhe e ndërtoi duke e mbrojtur atë përmes kësaj fjale:

HINENI

Nuk mund njeriu të jetoj të sotshmen sepse pikërisht e sotshmja është e zotshmja. Është pikërisht mbizotërimi i shpirtit, siç e njohu teoria fenomenologe gjermane duke e quajtur: Zeitgeist, apo Vetëdija Aktuale. Dhe është pikërisht kjo fjalë HINENI që në besimin hebrej do të thotë, nga përkthimi anglisht, “Ja Ku Jam”.

Por unë do ta kisha vazhduar të njëjtën, tutje në vetëm një fjalë, fjalë që shqiptari as në tregimet e bukura për Skendërbeun dhe për luftërat e madhërishme të këtij populli kurrë nuk e për-kuptimësoi, kjo fjalë është:

BINDEM.

Humbur në vetëdijen e lypjes kosovare, kthema këtë borxh dhe atë borxh, e tëra merr fund në takimin President i Kosovës (siç e ka votuar populli) dhe President i Rusisë Vladimir Putin. Duhet bindur, duhet falur dhe pikës së pari duhet Pranuar, për të ecur tutje në punë, në rrugë, në për lypës të sakatosur e për njerëz të thjeshtë, kjo është e sotshmja, kjo është e zotshmja, nuk mund të ikë Zeitgeist-i, mund të ikë mendja yte në fajin e pa Pranuar.