Lajme

Edi Rama, frikë nga përgjimet e shërbimeve të huaja?

11/14/2017 22:28
nga:A K

Frika nga përgjimet e shërbimeve të huaja, të cilat kanë qenë mjaft të shqetësuara për rritjen e krimit të organizuar në Shqipëri dhe nivelin e lartë të korrupsionit, duket se ka mbërthyer kryeministrin Edi Rama, i cili kohët e fundit ka evituar në maksimum shoqërimin apo bisedat me persona deri dje shumë afër tij.

Rasti Tahiri ishte sinjali i parë i alarmit për kryeministrin, i cili nuk e priste që materialet kompromentuese për ministrin e tij më të besuar të dilnin në publik. Pasiguria dhe ankthi i Ramës u lexuan qartë gjatë qëndrimeve që ai mbajti për ish ministrin e Brendshëm. Në fillim e shiti plotësisht, pastaj u detyrua ta marrë në mbrojtje, me një fjalim para grupit parlamentar, ku më shumë dallohej përpjekja për të dalë vetë i larë nga kjo histori se sa shqetësimi për fatin e ish krahut të djathtë të tij.

Edi Rama nuk është i sigurtë se çfarë informacionesh, provash apo faktesh kanë shërbimet e huaja për njerëzit e tij dhe deklaratat e ambasadorit amerikan se në janar do të ketë arrestime të forta, e kanë bërë t’i shohë me dyshim të gjithë bashkëpunëtorët e tij. Duke nuhatur emrat e disa individëve, ndonjë deputeti, kryetari bashkie apo dhe ministri, të cilët qarkullojnë në kuluaret e politikës dhe medias, burime të lapsi.al thanë se kryeministri ka ndërprerë çdo komunikim me ta.

Kjo ndërprerje e papritur komunikimi ka shtuar ankthin tek personat në fjalë, por nuk është se ka lehtësuar kryeministrin. Distancimi i tanishëm prej tyre, sipas rekomandimeve nga këshilltarët e tij që pretendojnë se janë të afërt me qarqe diplomatike, nuk është se anullon ndonjë implikim të mundshëm në të shkuarën. Po ashtu sikurse përpjekja për të zhvendosur vëmendjen e opinionit publik nga tema e nxehtë e luftës kundër krimit, nuk e shpëton dot nga përgjegjësia politike (ndoshta dhe ligjore) kreun e mazhorancës.

Njerëzit deri dje të besuar dhe të afërt të Ramës, sot po shprehin hapur habinë dhe zhgënjmin e tyre për bojkotimin e papritur që u ka bërë i pari i qeverisë. Disave u mungojnë udhëtimet gazmore të fundjavave, disa të tjerëve darkat në restorantin e kryeministrisë e disa të tjerëve telefonatat dhe sms e përnatshme para se të flinin gjumë. Por Edi Rama nuk ka faj, atij ia kanë vrarë gjumin dhe nuk mund të shqetësohet për pagjumësinë e të tjerëve.

Historia i lidhjeve të politikës me krimin sapo ka nisur dhe kryeministrit do t’i duhet t’i lërë me radhë shokët, me shpresë se radha nuk do të mbërrijë deri tek ai, shkruan Lapsi.

11/20/2017 22:44

Një leksion falas kryeministrit për diplomacinë ekonomike