Opinion

Edi Rama dhe kërcënimi shqiptar i BE-së

06/24/2018 09:52
nga:Leonard KOMANI

Flitet sikur Rama dhe Erdogan të kenë një plan të përbashkët për gjunjëzimin e BE-së?

Cili është ai dhe çka do t’iu kushtojë shqiptarëve? Edi Rama i ka propozuar BE-së që të marrë përsipër një numër të madh të refugjatëve sirian që aktualisht gjenden në Turqi. Në këmbim për çka?

Qeveritë shqiptare janë bërë si ato të monizmit dikur, të cilat çdo proteste qytetare ia vënin prapashtesën izëm; irredentizëm separatizëm e plota tjera me izmën ngjitur mbas si një rimorkio pa peshë.

Këto aktualet vetëm se izmën e kanë zëvendësuar me fobinë; islamofob, turkofob, ramofob, serbofob e deri në gërditje të çdo fjale që mund t’i ngjitet kjo prapashtesë aq në modë.

Brenda logjikës së kësaj tradite edhe Edi Rama kohëve të fundit u kënaq duke etiketuar njerëzit që e kritikojnë.

Veçanërisht ata që besojnë se kumbaria, respektivisht afërsia gati erotike e tij me sundimtarin e Turqisë Rexhep Taip Erdogan, ua rrezikon të ardhmen europiane shteteve shqiptare. Këta ai i etiketon jo vetëm si arrogantë dhe të padijshëm, por shkon edhe më larg, citat: “Shprehjet e islamofobisë apo turkofobisë janë shprehje të një padije dhe të një arrogance që buron në radhë të parë nga padija.

Të godasësh fenë islame dhe të mbash qëndrime islamofobe do të thotë në fakt të godasësh një rrënjë të rëndësishme të pemës së shqiptarisë dhe të vetë burimit, burimit të ekzistencës së kombit tonë”.

Këtë deklaratë jo-rastësisht tashmë e kanë bërë flamur sidomos organizatat radikale islamike dhe mediat e tyre përtej territorit të shtetit shqiptar. Pothuaj në çdo tekst që e botojnë këto media, ky paragraf është hyrja, mesi dhe përfundimi i çdo mesazhi.

Në Shqipëri, aty edhe ku u prodhua kjo tezë e re, nuk u riprodhua as nga ndonjë prej atyre turkofilëve që për inat të kosovarëve çojnë edhe tri gishtat serb nëpër Fushë Kosovë e gjetiu, e lere më nga dikush tjetër.

Shkurt e troç: Rama nuk ndikon në Shqipëri me këtë tezë të re e të çuditshme, por i rehabiliton dhe u dha zjarr e barut atyre organizatave radikale jashtë territorit ku sundon.

Kush tha se çdo e mirë vijnë nga Shqipëria politike?

 

Kryeministri shqiptar mund të fyej e të etiketojë sa të ketë dëshirë gjithë kundërshtarët e tij si arrogant dhe të padijshëm, mirëpo nuk besoj të ketë njeri të sinqertë – edhe ata që i rrinë afër – që s’do ta pranonte se Rama, sa i përket sjelljes me arrogancë është njëri nga politikanët që me siguri do zë vend në histori, veçanërisht për këtë veti të tij.

Përndryshe nuk do ta rrezikonte Shqipërinë dhe shqiptarët kaq rëndë me politikat e tija dhe atë dydimensionalësh: duke rrezikuar ecjen e shqiptarëve drejt integrimeve perëndimore me sjelljet e tij të pamenduara fare dhe duke u dhënë fuqi falangave refraktare dhe radikale fetare e erdoganiste shoqërive shqiptare.

Apo mos donë të bindë Rama me gjithë këta se Erdogani dhe politikat e tij janë mbështetja, garancia dhe ardhmja e shteteve shqiptare? Nuk besoj se çuditet më kush me teza të Edi Ramës dhe Hashim Thaçit.

*
Se Rama vërtetë ka hy thellë në këtë politikë anti-rrugës-perëndimore të shqiptarëve tregon edhe afera e fundit me lajmin gjoja për ardhjen e 600 mijë sirianëve.

Lajm ky që nuk mund të qëndrojë asnjëherë kështu, pasi me aq refugjatë do përmbysej Ballkani e jo vetëm Shqipëria që s’ka fuqi të mbajë gjallë as fukarenjtë e vetë e lere më të botës. Përveç numrit të fryrë, se megjithatë gjithçka tjetër brenda këtij lajmi qëndron tashmë nuk diskutohet nga askush, pas intervistës së deputetit gjerman të CDU-së Johan Wadephul dhënë medias gjermane “Deutsche Welle”, ku tha se Edi Rama e ka bërë vetë këtë propozim.

Për çka? Si këmbim për tu çelë negociatat, pasi Shqipëria nuk plotëson parakushtet dot dhe nuk e meriton këtë akt? Prasë-gjithash gënjeshtra e kryeministrit se ai nuk di gjë për këtë punë dhe se “Shqipëria do të pranojë vetëm aq në kuadër të një projekti të përbashkët eeuropian”, siç përgjigjej në murin e tij në facebook.

Një projekt i natyrës në BE nuk ekziston dhe qenka ide origjinale e Edi Ramës.

Gjithë kjo përforcon spekulimin që thotë të ekziston një si plan Erdogan-Rama për ta ndëshkuar, për t’iu hakmarrë Europës duke përdorur Shqipërinë si qendrën nga ku do shpërndaheshin refugjatët drejtë perëndimit. Këtë ende nuk e ka analizuar si duket deputeti i CDU-së që e sheh si propozim interesant.

*
Nëse Shqipëria do pranonte të bëhej ura transit e vetëm 100 mijë refugjatëve tash e disa vite të “mirëmbajtur” e përgatitur nga strukturat e Erdoganit në çadrat e Anadollit do të mjaftonte që të ndodhte përplasja Europë – Turqi në formën më të egër të saj.

Është Rama aq arrogant dhe mendjelehtë sa t’i hyjë kësaj loje të Erdoganit?

Proerdoganistët në shoqëritë shqiptare janë të bindur se kanë Ramën në anën e tyre dhe ai bën çka t’i kërkojë presidenti turk.

Opozita shqiptare i ndihmon kësaj pashtegësie duke lutur qeveritë perëndimore mos t’i çelin negociatat pa lojëra të këtilla.

Ideja si e tillë, poqëse Shqipëria t’i kishte kushtet, pra të pranojë refugjatë është humane dhe fisnike. Por kur ajo ndodhë si këmbim, tregti për paaftësinë e shteteve shqiptare të mos jenë të korruptuara, të jenë të paafta për qeverisje ose madje me plane ogurzeza diktatorësh të egër si Erdogani aksioni del si një blof kaçakësh të kohës së perandorisë osmane – siç i plasonte Karl May në romanet e tij zbavitëse.

Vërshimi i një numri aq të madh sirianësh proturkë viseve shqiptare jo vetëm se do të shkonte në favor të radikalëve që çuan aq të rij ne luftërat e Sirisë por do të demolonte edhe hartën demografike jo vetëm në Shqipëri por sidomos në Kosovë e gjetiu.

Ndërsa Ramës tashmë i besohet edhe një absurditet i këtillë – i futjes së shteteve shqiptare në luftë e konflikt të rëndë me interesat e BE-së. Edi Rama si duket edhe me bindje e vepra është kthyer në atë nivelin e dikurshëm, atëherë kur urrente “imperializmin” ma shumë se gjithçka tjetër, atëbotë kur në një video shihej duke e hedhur me shpullë nga tavolinë flamurin amerikan.