Lajme

Edhe të rinjtë të rrezikuar nga COVID-19, mbushen spitalet

11/17/2021 10:27
nga:Gazeta Blic

Ka shumë të vaksinuar që besojnë se tani që janë vaksinuar janë të sigurtë dhe nuk tregojnë kujdesin e duhur.

Vaksina të mbron nga infektimi me Corona, por megjithatë gjithnjë e më shumë të vaksinuar po infektohen, raporton DW.

Sipas Institutit Robert Koch në javën e parë të nëntorit (gjendja e datës 10.11.2021) rreth 23% e të rriturve të shtruar në spital ishin në 60 vjeç dhe 45% e pacientëve nga mosha 60 vjeç e lart ishin të vaksinuar. Në gusht kjo vlerë ishte në 6% tek ata nën 60 vjeç dhe 18% tek ata mbi 60 vjeç.

Vaksinimi megjithatë është efektiv.

Vërtet që po rritet me shpejtësi numri i të vaksinuarve në spitale që nga vera, por kjo nuk do të thotë, se vaksinat e Coronës janë tanimë përgjithësisht pa vlerë. RKI e vlerëson efektivitetin e vaksinës nga mosha 18 vjeç në rreth 72%. Si edhe më parë, të vaksinuarit janë pjesa më e vogël e të shtruarve në spitale. Nëse kuota e vaksinimit do të ishte më e ulët, atëherë sistemi shëndetësor në Gjermani tani do ndodhej para kolapsit.

Sfida kryesore në këtë vjeshtë të vonë do të mbetet, nëse do mund të binden të pavaksinuarit përmes ofertave të vaksinimit kudo në supermarkete apo në ambiente pune si dhe të ofrohen shpejt e në mënyrë të zgjeruar vaksinimet përforcuese, jo vetëm për më të moshuarit e për të punësuarit në sektorin e shëndetësisë.

Kush janë 18 milionë të pavaksinuarit në Gjermani?

Sipas një studimi të Institutit të Opinionit, Forsa, aktualisht 64% e të pavaksinuarve janë refuzues të vaksinës, 29% hezitojnë ende dhe 7% janë parimisht gati për vaksinim. Shpesh janë më të rinjtë që nuk vaksinohen. Ndërkohë në pjesën e popullsisë nga mosha 18-59 vjeç ka rreth 12 milionë vetë të pavaksinuar.

Madje dallime ka edhe mes Lindjes e Perëndimit. Gjermanolindorët janë më pak të gatshëm për vaksinim dhe kanë më pak besim në sigurinë e vaksinës. Ndërkohë që në qytetin-shtet verior gjerman, Bremen janë vaksinuar 81,5% e njerëzve, në lindjen gjermane në Saksoni kjo shifër është 59,4%.

Po ashtu edhe njerëzit me sfond migracioni janë më shpesh të pavaksinuar. Sipas studimit të Forsa-s tek ky grup i popullsisë nuk arrijnë sa duhet fushatat informative në gjuhë të kuptueshme për ta.

Edhe në lidhje me të ardhurat ka të dhëna të qarta. Sipas studimit të Institutit Max-Planck për Politikën Sociale dhe të Drejtën Sociale në 27 vende europiane dhe Izraelin, afër 30% e personave me të ardhura të ulta mbi 50 vjeç hezitojnë ose nuk duan të vaksinohen, kurse tek ata që kanë të ardhura të larta kjo shifër është vetëm 7,8%. Rreth 28,5% e të papunëve në Europë e refuzojnë vaksinën.