Lajme

Edhe një javë deri te skadimi i Marrëveshjes për targat – Qeveria nuk e thotë asnjë fjalë, tri modalitetet që janë negociuar

04/14/2022 13:00
nga:N M

Kanë mbetur vetëm një javë kur marrëveshja e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e lehtësuar nga Bashkimi Evropian për targat do të skadojë, raporton Gazeta Blic.

Aktualisht çdo veturë që hyn përmes kufijve të Kosovës ose edhe atyre të Serbisë, targat ku shihen simbolet e dy shteteve duhet të mbulohen me letër ngjitëse.

E, nëse kjo marrëveshje do të jetë në fuqi edhe pas 21 prillit ende nuk dihet, por gjithçka që dihet deri tani është se ekipet teknike të Kosovës dhe Serbisë janë takuar disa herë në Bruksel në gjetjen e një modaliteti apo formule se si të vendoset pas 21 prillit.

Gazeta Blic që nga mëngjesi ka kërkuar një përgjigje nga zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherit kryenegociator për dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi por që i njëjti nuk ka kthyer përgjigje.

Njëjtë sikurse Bislimi ka vepruar edhe zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim kryeziu i cili as nuk i është përgjigjur thirrjeve të redaksisë e a sms-ve të dërguar për çështjen e marrëveshjes për targat.

Por krejt çka ka thënë Besnik Bislimi në disa paraqitje televizive, është se janë tri modalitete që po diskutohen por që deri sot nuk ka ujdi mes dy palëve.

Një nga variantet është të mbahen ato ekzistuese, gjë që mbështetet nga pala kosovare.

Dy variantet e tjera kanë të bëjnë me modifikimin e tabelave të Serbisë dhe Kosovës – varianti A të ruhen simbolet kombëtare dhe ndryshimi i shkurtesave dhe varianti B – anasjelltas – për ndryshimin e simboleve kombëtare dhe mbajtjen e shkurtesave.

Bislimi në një intervistë për ditë më parë ka thënë për portalin serb Kossev ka thënë se për momentin, pala serbe ende insiston në afishe (sitckersa ose letër ngjitësen) .

Ai thekson se marrëveshja për të cilën ai shpreson nuk do të thotë “njohje reciproke e shtetësisë”, asnjëra prej tyre.

“Në kuadër të marrëveshjes mund të shtojmë një paragraf që nuk do të thotë se Serbia e njeh Kosovën apo se Kosova njeh Serbinë. Ky është një nga opsionet. Kjo nuk do të përdorej për të njohur njëri-tjetrin, sepse njohja duhet të jetë pjesë e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, për ne – pjesa qendrore e saj”, kishte deklaruar zëvendës kryeministri i Kosovës Besnik Bislimi.

Marrëveshja për targat ishte arritur pas që Qeveria e Kosovës në tetor të vitit të kaluar kishte vendosur që të ketë reciprocitetet për targat e ku njësitet speciale të policisë së Kosovës kishin qëndruar ne veri të vendit dhe afër pikave kufitare për më shumë se dy javë.

Të irrituar me këtë veprim serbët lokal në veri të Kosovës të nxitur nga Lista Serbe e Beogradi kishin bllokuar disa rrugë në atë pjesë të Kosovës duke i pamundësuar kështu lëvizjet e njësiteve speciale me automjetet e tyre ku ndërrimi i pjesëtarëve të kësaj njësi elitare bëhej çdo 12 orë, por në këmbë.

Palët përmes dialogut në Bruksel u dakorduan që targave të dy vendeve t`u ngjitet letër ngjitësi i bardh duke mbuluar kështu simbolet e dy shteteve.

Në kuadër të asaj marrëveshje ishte paraparë edhe tërheqja e njësive speciale nga veriu i Kosovës e bashkë me ta edhe serbët lokal të largojnë kamionët e tyre dhe gjësendet e tjera me të cilat kishin bllokuar dy rrugët që qojnë në dy pikat kufitare me Serbinë, në Bërnjak dhe Jarinje.

Votohet projektligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës